FIFA me risi tjetër; do të përdorë AI për pozicionin jashtë loje gjysmë-automatik në Botëror

Inteligjenca artificiale (AI) pritet të hyjë zyrtarisht në futboll. Sipas “CalcioeFinanza.it”, FIFA synon ta përdorë atë në Kupën e Botës 2026, për ta bërë pozicionin jashtë loje gjysmë-automatik edhe më të saktë e më të lehtë për t’u kuptuar. Lajmi është njoftuar nga presidenti Gianni Infantino në bashkëpunim me “Lenovo”.

Risia kryesore do të jetë përdorimi i avatarëve 3D, të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, që do të integrohen në sistemin e “offside”. Të gjithë lojtarët do t’i nënshtrohen një skanimi digjital me saktësi të lartë, që zgjat rreth një sekondë dhe krijon modele tredimensionale shumë të detajuara të trupit.

Edhe me pamje të pjesshme ose lëvizje të shpejta, pozicionet e futbollistëve do të identifikohen me saktësi, duke reduktuar gabimet dhe përshpejtuar vendimet e VAR-it. Avatarët 3D do të shfaqen edhe në transmetimet televizive për të shmangur paqartësitë. Sistemi është testuar tashmë në Kupën Interkontinentale. FIFA do të lançojë gjithashtu platformën “Football AI Pro” dhe një version të përmirësuar të “Referee View”.

The post FIFA me risi tjetër; do të përdorë AI për pozicionin jashtë loje gjysmë-automatik në Botëror appeared first on Telesport.