Në mesin e organizatave të cilat përfituan sivjet fonde nga ministria e drejtuar nga Hajrulla Çeku, është edhe organizata “Plan Kulturë”, me shkurtesën “Plan K”.
Kjo organizatë joqeveritare përfitoi hiç më pak se 17 mijë euro për organizimin e festivalit “Shqip Up Festival” në Cyrih të Zvicrës.![]()
Por ajo që bie në sy në listën e gjatë të ministrisë është mospërputhja e datave, raporton Kiks Kosova.
Ministria e hapi thirrjen për projekt-propozime në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore për vitin 2025, më 27 shkurt.![]()
Thirrja qëndroi e hapur deri më 24 mars në orën 23:59.
Ndërkaq, organizata “Plan K”, e cila përfitoi 17 mijë euro nga Ministria, u regjistrua në Kosovë vetëm 72 orë para se të mbyllej kjo thirrje.![]()
“Plan K” në sistemin elektronik të organizatave joqeveritare figuron se është regjistruar si organizatë vendore më 21 mars të 2025-ës, fiks tri ditë parë se të mbyllet afati për aplikim në thirrjen e MKRS-së për projekt-propozime në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore për sivjet.
Madje, aktori Ridvan Murati, emri i të cilit figuron si drejtor ekzekutiv i kësaj organizate, tha për Kiks Kosovën se aplikimi i tyre për regjistrimin e organizatës nuk është pranuar ende.
Ndonëse në regjistrin online të OJQ-ve në Kosovë, “Plan K” figuron si organizatë vendore, Murati tha se kjo organizatë është e regjistruar në Zvicër.
Mirëpo, drejtori i “Plan K” refuzoi që t’ia dërgojë emisionit faktet të cilat vërtetojnë që organizata e tij është e regjistruar në Zvicër.












