Shkruan: Burim Gjaka
Duke pasur parasysh se të gjithë pajtohemi se fëmijët janë e ardhmja e vendit dhe se ata duhet ta kenë hapsirën e tyre për zhvillimin edukativ dhe akademik, secili nga ne ka obligim të jap maksimumin e tij për avancimin dhe zhvillimin e tyre në jetë, jo vetëm në sferën e respektimit të të drejtave të tyre porse edhe në organizime të ndryshme të avancimit të dijes dhe kreativitetit të tyre. Jemi dëshmitarë se institucionet tona në nivel qëndror por edhe lokal, ndajnë mijëra euro nga buxheti, ( i siguruar nga taksat tona) për organizime të ndryshme e që fatkeqsisht disave nga to kurrë deri më sot nuk i është bërë një analizë e mirëfilltë se çfarë përfitojnë qytetarët nga to, cili është produkti final i organizimit të tyre, apo vetëm duhet disi të hargjohen dhe arysetohen paratë në letër. Fatkeqsisht ka edhe organizime të tilla, të cilat qysh në nisje janë diskriminuese, biles herë-herë edhe në nuanca gjinore.
Nisur nga kjo, me tendencën për t`i mbështetur fëmijët, kësaj radhe do të shpalos idenë e organizimit të një festivali me poezi për fëmijë, gjegjësisht nxënës, i cili do të nxiste kurreshtjen për shkrime dhe lexim e recitim të fëmijëve, do të rriste konkurencën te fëmijët dhe njëkohësisht nga ky organizim do të përfitonin direkt shkollat. Ideja e organizimit të këtij festivali kësaj radhe do të orjentohet vendëm në nivel komune. Por si do të duhej të bëhej organizimi i Festivalit të poezisë për fëmijë?
Drejtoria Komunale e Arsimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit fillimisht do të duhej të themelonin një Këshill Koordinues i cili do të kujdesej për organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij festivali në tërsi. Këshilli Koordinues pastaj duhet ta përzgjedhë një komision ( ekipë) profesional prej 3-5 anëtarëve i cili do të merrej me anën profesionale të festivalit duke përfshirë aranzhimin, përzgjedhjen, vlerësimin etj., pra që nga nisja e garimit nëpër shkolla e deri te botimi i librit me poezi. Në kuadër të kësaj ekipe do të duhej të ishin mësimdhënës, poetë, artist apo njohës tjerë të kësaj fushe.
Festivali do të fillonte me ekspedita garuese nëpër shkolla, ku ekipa profesionale do ta vizitonte secilën shkollë dhe do të zhvillohej gara e recitimit. Nxënësit e interesuar do të duhej të njoftoheshin paraprakisht për formën dhe kohën e garimit, poashtu secili duhet ta ketë të qartë se poezitë të cilat marrin pjesë në garë nuk duhet të jenë të botuara deri më tani, pra duhet të shkruheshin nga vetë nxënsit. Në secilën shkollë do të nxirrej një numër i caktuar i nxnësve fitues të cilët më pastaj do të merrnin pjesë në organizimin final të festivalit, i cili do të duhej të mbahej në nivel komune. Komisioni ( ekipa profesionale) do të nxirrte numrin e poezive aq sa ata konsiderojnë se u nevoiten për ta botuar një libër.
Gara në nivel komunal do të mbahej me publik, ku të gjithë nxënësit fitues të shkollave do të recitonin para publikut. Komisioni do t`i nxirrte tri vendet e para të cilat natyrisht se do të duhej të shpërbleheshin me shuma të caktuara monetare kurse të gjitha poezitë e recituara të ditës finale automatikisht do të bëheshin pjesë e librit që do të duhej të botohej. Lekturimi, redaktimi, radhitja, kopertina, përzgjedhja e titullit dhe çdo punë tjetër deri te botimi i librit duhet të jenë punë e komisionit ( ekipës) profesional.
Festivali në shkolla do të duhej të fillonte gjatë muajit nëntor kurse dita finale, në shenjë simbolike do të mbahej më 7 mars, për nderë të “Ditës së Mësuesit”. Botimi i librit duhet të përfundonte me një promovim masovik më 1 Qershor për nderë të “ Ditës së fëmijëve”. Pastaj një sasi e caktuar e librave të botuara, në mënyrë proporcionale të shpërndahen për bibliotekat e shkollave.
Festivali i poezisë duhet të organizohet çdo vit dhe të bëhet tradicional. Ky projket duhet të mbështetet financiarisht nga Komuna, gjegjësisht drejtoritë përkatëse sepse nuk duhen shuma të mëdha parash dhe njëkohësisht përfitues të tij direkt janë fëmijët sepse nxitet dëshira dhe kurreshtja për të shkruar e recituar, rritet masa e leximit të nxënësve, shtohet kapaciteti i librave në bibliotekat shkollore, zbulohen talent të rinjë të kësaj lëmie dhe pse jo ky hap mundëson edhe krijimin e klubeve të poetëve të rinjë të qytetit tonë.