Festa e Vitit të Ri: Plumbi “qorr” godet tavanin e një veture të parkuar

Festa e Vitit të Ri, krahas kremtimit mund të sjellë edhe incidente të ndryshme.

Së paku në dy raste janë raportuar në policinë e Prizrenit, për përdorim të armëve të zjarrit.

Njëri rast ka ndodhur në fshatin Kushnin të Hasit, e tjetri në Suharekë.

Lidhur me këto detaje ka dhënë Shaqir Bytyqi, zëdhënës i policisë për rajonin e Prizrenit.

Bytyqi deklaroi se nuk ka pasur persona të lënduar nga këto raste.

“Në fshatin Kushnin të Hasit, Prizren, lidhur me rastin në fjalë janë identifikuar tre persona, një i rritur dhe dy të mitur. Janë sekuestruar dy armë zjarri. I dyshuari i rritur, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë, ndërsa dy të miturit janë liruar në procedurë të rregullt. Ndaj të tre personave është iniciuar procedurë penale”, deklaroi Bytyqi për Klankosova.tv.

“Rasti i dytë ka ndodhur në Suharekë, ku një person ka raportuar se një plumb ka depërtuar në kulmin e automjetit të tij të parkuar.