Ndërmarrja “NewCo Ferronikeli” ka njoftuar se është detyruar të marrë vendimin për ta ndalur punën deri më 31 dhjetor të vitit 2025.
Sipas menaxhmentit të ndërmarrjes, të njëjtit janë detyruar që ta fikin plotësisht furrën elektrike nga gjendja e ngrohtë si dhe për të reduktuar orarin e punës për një numër punëtorësh, duke filluar nga 16 prilli.
Zëdhënësi i ndërmarrjes “NewCo Ferronikeli”, Shpend Gudaqi, në një prononcim për Gazetën Express tha se pavarësisht sfidave, asnjë punëtor nuk e ka humbur vendin e punës por do të ketë racionalizim të shpenzimeve.
“Kjo masë është e diktuar nga faktorë të rëndë ekonomikë: çmimet e larta dhe të paqëndrueshme të energjisë elektrike në tregun e hapur, si dhe çmimet e ulëta dhe të paqëndrueshme të nikelit në bursat ndërkombëtare. Këta faktorë kanë krijuar vështirësi serioze për kompaninë tonë gjatë 17 muajve të fundit, duke e bërë të pamundur prodhimin dhe shitjen e rezervave të depozituara për një periudhë të gjatë kohore”.
“Pavarësisht sfidave të mëdha, theksojmë se asnjë punëtor nuk ka humbur vendin e punës. Megjithatë, racionalizimi i shpenzimeve është bërë i domosdoshëm, me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar të kompanisë dhe mbrojtjen e së ardhmes së saj”, tha Gudaqi.
Gudaqi u shpreh se ndërmarrja po ndjek me vëmendje zhvillimet në tregjet e metaleve dhe të energjisë elektrike, me synim që t’i kthehet prodhimit sapo të krijohen kushtet për operim të qëndrueshëm dhe pa humbje.
Mbi 800 punëtorë të “NewCo Feronikelit” mbesin pa punë, i vihet dryni fabrikës