Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka deklaruar se gjatë mandatit të tij janë rritur ndjeshëm investimet në arsim, duke u fokusuar në bursa dhe trajnime profesionale për studentët.
Në një emision televiziv, Idrizi tha se nga 140 mijë euro sa ka qenë buxheti për këtë sektor në fillim të mandatit, tashmë është arritur në afër 700 mijë euro të dedikuara për bursa dhe trajnime të ndryshme.
“Tek arsimi kemi investuar shumë, për bursa të studentëve dhe për trajnime profesionale të ndryshme. Nga 140 mijë euro sa e kemi gjetur buxhetin, ne kemi arritur diku afër 700 mijë euro vetëm në shkathtësi të ndryshme, në trajnime profesionale dhe bursa brenda dhe jashtë vendit që ua kemi ndarë studentëve,” tha Idrizi.
Ai shtoi se Vushtrria është komuna e parë në Kosovë që ka nënshkruar marrëveshje me një universitet të Mbretërisë së Bashkuar, City College, për të mundësuar studimet bachelor dhe master në fusha si programimi, shkencat politike dhe inteligjenca artificiale.