Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka miratuar një masë të përkohshme pas ankesës së paraqitur nga Lista Serbe, duke pezulluar përkohësisht çdo veprim të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit dhe procesin e formimit të Qeverisë. Kjo masë do të jetë në fuqi nga data 5 deri më 30 shtator 2025.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka folur për këtë vendim, duke thënë se në kushtet aktuale, kur shkelësit e Kushtetutës vazhdojnë të denigrojnë institucionet, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i vetmi mekanizëm që duhet të zbatohet.
“Ne asnjë rast vendimi nuk është i nevojshëm, me blloku shtetin por rrethanat kur shkelësit e kushtetutës vazhdojnë me logjiken e njëjtë denigruese për institucionet e vendit është, i vetmi mekanizëm legjislativ, demokratik, kushtetues, qe ne duhet të zbatojmë, vendimet e Gjykatës, sepse nuk ka mekanizëm tjetër legal dhe demokratik”, tha ai
Shala tha se bllokimi i institucioneve, është pasojë e politikave abuzive të Qeverisë Kurti dhe Vetëvendosjes, në krye me Albin Kurtin.
“Bllokimi i institucioneve, tashmë ka ndodhur, si rezultat i politikave krejtësisht abuzive te Qeverise Kurti, gjegjësisht te Vetëvendosjes ne krye me Albin Kurtin”, tha ai.
Shala, tha se abuzim më të madh nuk ka se mbajtja dhunshëm e pushtetit nga Vetëvendosje, me shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës së vendit.
“Nuk ka abuzim me te madh, sesa me mbajtë pushtetin dhunshëm, duke shkelur Kushtetutën e vendit, dhe duke e mbajtur pozicionin edhe te kryeministrit, edhe te deputetit, edhe kabineti qeveritar poashtu, dhe duke e mbajtur Kosovën peng, dhe nën sanksione te bashkimit evropian”, tha Shala për Front Online.
Kur u pyet nëse do të votojnë për Nenad Rashiqin apo ndonjë kandidat tjetër në rast se Gjykata Kushtetuese vendos për votimin në pako, deputeti Shala tha se vendimi i Partisë Demokratike të Kosovës merret pas analizimit të vendimit që do të marr Gjykata Kushtetuese.
“Vendimi që do marr Partia Demokratike e Kosovës dhe lidershipi i saj, vjen pas analizës dhe pas vendimit te Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.
Shala tha se Partia Demokratike e Kosovës e respekton Kushtetutën dhe kulturën demokratike, por deri tani nuk ka arritur marrëveshje me mazhorancën.
Megjithatë, sipas tij partia është e gatshme për çdo proces zgjedhor që mund të vijë së shpejti.
“Ne jemi të përgatitur që me respektu kushtetutshmërinë e vendit, me respektu kulturën demokratike dhe politike, me respektu deri në maksimum tolerancën dhe bashkëpunimin ndër subjekte politike, por fatkeqësisht nuk kemi gjetur gjuhë të përbashkët me mazhorancën, por njëkohësisht Partia Demokratike është shumë e gatshme për çdo proces zgjedhor që mund të vjen në të ardhmen e afërt”, tha Shala për Front Online.