Fëmija që u sulmua nga ujku në Shtërpcë, ShSKUK: Gjendja e tij vlerësohet të jetë stabile

Një fëmijë 5-vjeçar është sulmuar nga një ujk të mërkurën në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Brod të Shtërpcës.

Fëmija pas sulmit është dërguar në qendrën emergjente në Ferizaj, e më pas në QKUK – Prishtinë për trajtim të specializuar mjekësor.

Në njoftimin e ShSKUK-së bëhet e ditur se fëmija ka pasur lëndime në gjoks dhe shpinë.

Aktualisht fëmija është duke u trajtuar në Kirurgjinë Torakale ku gjendja e tij vlerësohet të jetë stabile.

“Sipas familjarëve, fëmija është sulmuar nga një ujk dhe është tërhequr zvarrë disa metra nga oborri i shtëpisë. Pas pranimit në Klinikën Emergjente, ka marrë trajtimin e parë mjekësor dhe janë kryer ekzaminimet e nevojshme fillestare. Aktualisht, fëmija është pranuar dhe po merr trajtim në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, ku gjendja vlerësohet stabile. Janë dhënë vaksinat, sipas protokollit, si dhe është konsultuar Psikologu Klinik për vlerësimin dhe mbështetjen e gjendjes emocionale të fëmijës. Pavarësisht gjendjes stabile, për arsye të monitorimit dhe mundësisë së ndryshimeve eventuale, pacientja do të qëndrojë për disa ditë në klinikë”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së./teve1.info/