Felipe Melo ka pasur frikë vetëm një herë. Në moshën 15-vjeçare, në Brazil, u përball me një narkotrafikant të gjatë dhe plot tatuazhe: “Herë pas here rrija në rrethe jo fort të mira. Një ditë ai më mori mënjanë, më pa në sy, një shikim që s’do ta harroj kurrë, dhe më tha se, po të më shihte sërish aty rrotull, do të më qëllonte. Ke të ardhme në futboll, këtu nuk dua të të shoh më… E dëgjova. Sot nuk e di ç’u bë me të, besoj se ka vdekur”. Felipe Melo është gjithmonë një “lumë” fjalësh, flet për Interin, Juven, të ardhmen si trajner dhe të kaluarën.
Nëse s’do të ishe bërë futbollist, çfarë do të bëje?
Ndoshta do të kisha përfunduar në rrugë të këqija. I falënderoj prindërit e mi. Babai punëtor, nëna shtëpiake. Jam rritur duke kafshuar jetën dhe vështirësitë.
Pse të quajnë “Pitbull”?
Një nofkë që e kam dashur. Njerëzit më kujtojnë vetëm për faullet e rënda, por kam pasur gjithmonë cilësi. Në Botërorin 2010 dhashë asistin më të bukur të gjithë turneut, për Robinho kundër Holandës, ndeshje ku u përjashtova. Një pasim vertikal 20 metra, që e nxori përballë portës…
Juve dhe Inter, si ishte eksperienca juaj italiane?
Kam kujtime të bukura. Te Juventusi kam luajtur gati 100 ndeshje, por isha i ri dhe i papjekur. Bëra dhjetëra gabime dhe i pagova të gjitha.
Çfarë lloj gabimesh?
Një herë humba topin, tifozët më fishkëllyen dhe i ofendova të gjithë. Kur u ktheva në shtëpi, gruaja më qortoi. Isha djalosh i papjekur, zihesha me të gjithë, përgjigjesha keq, bëhesha nervoz. U përplasa edhe me Chiellini, siç dihet. Tani jemi pajtuar, u përshëndetëm me përzemërsi në Botërorin për Klube. Ishte edhe Infantino. Është gjenial, po e ndryshon futbollin dhe e vlerësoj.
Interi ju donte që në vitin 2009…
Po, por Corvino më tha: Ose shkon në Torino, ose shkon në Torino. S’ke zgjedhje. Juventusi pagoi klauzolën 25 milionë dhe përfshiu Marchionnin. Firence nuk e priti mirë, më kundërshtoi shumë. Atje lindi vajza ime e parë, e kam dashur ‘Franchi’ dhe qytetin.
S’ka nevojë t’ju pyesim se për kë bëni tifo…
Interi është në zemrën time. Në shtëpi kam ende faqen e parë të ‘Gazzetta’ pas një goli tim ndaj Veronës, kur shkova të puthja gruan. Ishte 2015-ta, në titull shkruhej ‘fuga al bacio’. Kur Mancini më kërkoi, nuk hezitova, por më vjen keq që qëndrova pak.
Nëse do të takonit Frank de Boer, çfarë do t’i thoshit?
Për futboll nuk ka kuptuar kurrë asgjë, nuk është i aftë. Folte keq edhe për Gabigolin, duke e quajtur ‘Gabi-ex-gol’. Nuk fliste italisht, i bezdiste të gjithë në dhomat e zhveshjes. Prandaj zgjati tre muaj dhe pastaj dështoi kudo. Falë Zotit atë vit erdhi Pioli.
Interi i ri a ju bind?
Në Botërorin e Klubeve mund të bënte më shumë, por ndodh. Chivu ka ardhur prej pak kohësh dhe po përpiqet të vendosë një linjë të re pas katër viteve të Inzaghit dhe automatizmave. Më pëlqen Sucic, mendoj se mund të bëhet vendimtar. Pastaj jam i çmendur pas Pio Esposito dhe Dumfries.
Lautaro Martinez, a është në pesëshen më të mirë në botë?
Jo…, është në treshen më të mirë! Më 2024, te ‘Topi i Artë’, meritonte shumë më tepër se vendin e shtatë.
Cili është favorit për titull në Serie A?
Interi është më i forti, por Napoli ka cilësi.
Lojtari i pazëvendësueshëm te Juventusi?
Bremer. Sezonin e kaluar mungoi si ajri…
Po tek Interi?
Calhanoglu, është ende truri i skuadrës.
Për cilin lojtar do të kishit vrapuar trefish?
Për Calhanoglu dhe Yildiz. Më çmend mënyra si turku e prek topin. Do të luftoja për të deri në fund.
Pak muaj më parë thatë: “Më 2026 do të më shihni në pankinë, shpresoj të stërvis në Serie A”. Cila është ideja juaj e futbollit?
Dua njerëz të guximshëm dhe me cilësi. Nëse nuk fut këmbën në duel, nuk luan. Kam qenë një lojtar i madh, e them qetësisht. Godisja fort dhe shënoja gola, mesfushorë shkatërrues si unë ishin të paktë. Siç them gjithmonë, me Felipe në fushë ishte e vështirë, por pa Felipe ishte edhe më e vështirë.
The post Felipe Melo: Një narkotrafikant më ndryshoi jetën. Më tha ke të ardhme në futboll, ik nga këtu appeared first on Telesport.










