Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka thënë se ndër shkaktarët kryesorë për rritjen e çmimit të rrymës për 15 për qind është importi i energjisë elektrike.
Të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, Fejzullahu ka thënë se sasia e madhe e importimit ka bërë që të lindë nevoja për rritje të çmimit.
“Krahasuar me vitin e kaluar nevoja për rritje të të hyrave të lejuara është për 15 për qind. Ka faktorë që kanë ndikuar për nevojën e rritjes së energjisë elektrike, janë çmimet e importit. Në sasi ka rekord të energjisë që kemi importuar që nga paslufta, edhe pse çmimi është më i ulët për afërsisht 10 euro krahasuar me vitin e kaluar, sasia shumë e madhe ka bërë që të jetë e nevojshme kjo rritje. Shtytësi kryesor është importi, ne kemi pasur vitin e kaluar prodhim shumë më të vogël të burimeve të ripërtërishme, për këtë arsye ka lindur nevoja për import më të madh”, ka thënë ai.
Fejzullahu ka shtuar se vetëm këtë vit ka pasur kapacitet prodhues për afërsisht 900 megavat, teksa kërkesa ka kaluar 1500 megavat.
Ai ka shtuar se parashihet që edhe vitin e ardhshëm të ketë trend të njëjtë të kërkesës.
“Këtë vit kemi afërsisht rreth 800-900 mgw kapacitet prodhues në vend, mirëpo kemi pasur raste kur piku apo kërkesa ka kaluar afërsisht 1400-1500. Sipas parashikimeve tona, trendi pritet të jetë i njëjtë edhe vitin e ardhshëm pasi pothuajse 90 për qind të konsumatorëve kanë kaluar nga ngrohja me dru në ngrohje me energji elektrike”, është shprehur ai.
Fejzullahu ka thënë se janë të vetëdijshëm që për qytetarët është e vështirë ta pranojnë këtë rritje, por sipas tij, ajo është e domosdoshme.
Ai ka theksuar se çmimi i energjisë elektrike që blihet nga KEK-u nuk është rritur që nga viti 2010.