Serie A dhe Federata Italiane e Futbollit (FIGC) po mbështesin trajnerin Gennaro Gattuso dhe kombëtaren “azzurre” përpara ndeshjeve eliminatore të Kupës së Botës, që zhvillohen në mars. Italia do të luajë në gjysmëfinalet play off me Irlandën e Veriut dhe synohet një përgatitje e mirë për t’u rikthyer në një Botëror.
“Liga e Serie A do të bëjë gjithçka që është e mundur për të mbështetur Federatën Italiane të Futbollit dhe ekipin kombëtar, duke i vënë lojtarët në dispozicion trajnerit duke punuar në oraret e ndeshjeve. Do të jetë një burim krenarie për të gjithë nëse Italia arrin në Kupën e Botës“, tha presidenti i Lega Calcio Serie A, Ezio Simonelli.
Trajneri Gattuso bëri thirrje për një kamp stërvitor apo një pezullim të Serie A për disa ditë. Do të ishte e vështirë, nëse jo praktikisht e pamundur të shtyhej e gjithë java e 30-të e Serie A, e planifikuar për 22 mars. Ndërkohë që, më 26 mars do të luhen gjysmëfinalet play off të Kupës së Botës.
Zgjidhja më e mirë, siç raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, do të ishte zhvendosja e të gjithë raundit të premten dhe të shtunën. Kjo edhe për shkak të problemeve me të drejtat televizive si dhe duke marrë parasysh angazhimet e ekipeve italiane në Champions, Europa dhe Conference League.
Nga kjo situatë do të përfitonte edhe kombëtarja shqiptare, pasi shumica e lojtarëve kuqezinj luajnë pikërisht në Itali. Kjo do të thotë se ata do të vinin më shpejt në grumbullimin e trajnerit Silvinho dhe do të kishin më shumë kohë për të përgatitur gjysmëfinalen play off ndaj Polonisë.
The post Federata Italiane e Futbollit në punë për të ndihmuar kombëtaren e Gattuso, përfiton edhe Shqipëria appeared first on Telesport.











