Federata Evropiane e Gazetarëve alarmon pas gjuhës së rrezikshme të Sami Kurteshit: Kjo është e turpshme dhe e padenjë

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutiérrez, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të ndërhyjë urgjentisht për t’i dhënë fund, siç është shprehur, fushatës së shpifjeve ndaj gazetarëve nga një anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Përmes një reagimi publik, Gutiérrez ka kritikuar ashpër deklaratat e anëtarit të KQZ-së nga radhët e VV-së, Sami Kurteshi, i cili e ka quajtur Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) “aleancë të grupeve kriminale”.

“Ky krahasim i një organizate shumë të respektuar evropiane të gazetarëve me një grup kriminal është i turpshëm dhe i padenjë. AGK është një organizatë e respektuar që po e bën punën e saj, duke mbrojtur gazetarët dhe gazetarinë”, ka deklaruar Gutiérrez.

Ai i ka kërkuar drejtpërdrejt kryeministrit Kurti që të mos i tolerojë këto deklarata, duke theksuar se heshtja institucionale po minon besueshmërinë e gazetarëve dhe po dëmton reputacionin e Kosovës.

“Duke toleruar shpërthime të tilla, ju po i minoni gazetarët, kredibilitetin e tyre dhe vetë vendin, duke lejuar që partia juaj të denigrojë këdo që guxon t’ju mbajë ju dhe politikëbërësit e tjerë përgjegjës”, theksohet në reagim.

Gutiérrez ka paralajmëruar edhe për rrezikun që gjuha denigruese të përshkallëzohet në dhunë fizike ndaj gazetarëve.

“Kam parë shumë gazetarë të vuajnë abuzime dhe sulme fizike, shpesh pasi janë denigruar publikisht. Ju keni përgjegjësi të ndalni këto praktika të stilit mafioz. Në të kundërtën, do të jeni bashkëpërgjegjës për to”, thuhet më tej në reagimin e tij.

Deri në momentin e publikimit, nuk ka pasur reagim nga Zyra e Kryeministrit apo nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me kërkesën e Gutiérrez.