FBI: Kemi gjetur 2400 dosje të reja që lidhen me vrasjen e presidentit Kennedy

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) tha të martën se kishte zbuluar 2,400 të dhëna të reja në lidhje me vrasjen e ish-presidentit John F Kennedy, ndërsa agjencitë federale punojnë për të përmbushur urdhrin ekzekutiv të presidentit Donald Trump muajin e kaluar për të publikuar mijëra të dhëna.

FBI-ja tha se po punon për transferimin e të dhënave në Arkivin Kombëtar dhe Administratën e Regjistrimeve për t’u përfshirë në procesin e deklasifikimit.

Qeveria federale në fillim të viteve 1990 urdhëroi që të gjitha dokumentet në lidhje me atentatin e 22 nëntorit 1963 të vendoseshin në një koleksion të vetëm në Arkivin Kombëtar. Dhe ndërsa shumica dërrmuese e koleksionit – mbi 5 milion regjistrime – është bërë publike, studiuesit vlerësojnë se 3000 skedarë nuk janë publikuar, qoftë tërësisht apo pjesërisht.

Gjatë deklaratës së tyre FBI-ja nuk dha detaje se çfarë lloj informacioni përmbajnë dosjet e sapo zbuluara. Në vitin 2020 FBI-ja hapi një kompleks qendror të të dhënave dhe filloi një përpjekje shumëvjeçare për të dërguar, inventarizuar dhe ruajtur në mënyrë elektronike dosjet e mbyllura të çështjeve nga zyrat në terren në të gjithë vendin. Agjencia tha se një inventar më gjithëpërfshirës i të dhënave së bashku me përparimet teknologjike e lejuan atë të kërkonte dhe lokalizonte shpejt të dhënat, citon the “Guardian”.