FAZ: Politika e paparashikueshme e Trumpit ia ka thyer Vuçiqit iluzionin e pushtetit

Sanksionet që ka vendosur presidenti i SHBA, Donald Trump, e kanë detyruar kompaninë ruse Gazprom të tërhiqet nga Serbia, e kanë zbritur në tokë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa pushteti i tij po shpërbëhet dhe ai po humb besimin si të qytetarëve të Serbisë ashtu edhe të Bashkimit Evropian, shkruan sot Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ).

Nën titullin “Presioni i Trumpit e zhveshi iluzionin e pushtetit në Serbi”, e përditshmja gjermane shkruan se Trump, me kërcënimet e tij dhe politikën e tij të paparashikueshme, gjithmonë lë përshtypjen se vetëm po demonstron pushtet dhe se më pas tërhiqet.

Por Trump e ka shumë seriozisht. Këtë para së gjithash e përjetojnë kundërshtarët e dobët, si presidenti i rrëmbyer i Venezuelës. Një rast i ngjashëm është Serbia me presidentin e saj Aleksandar Vuçiq, i cili vetëm mburret me forcën e tij të supozuar”, shkruan FAZ, transmeton Papapaci.

Gazeta shkruan se, i përballur me mungesë të energjisë, karburanteve dhe me qytetarë të Serbisë tashmë të pakënaqur, Vuçiqi është dorëzuar përballë skenografisë gjithnjë e më reale të kërcënimeve të Trumpit.

Pjesa e pronësisë së Rusisë në Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS) prej kohësh ka qenë “therrë në sy” për presidentin e SHBA dhe se tani largimi i Gazpromit, i cili më shumë i ngjante një dëbimi, e zvogëlon ndikimin e Rusisë në oborrin e Bashkimit Evropian, vazhdon gazeta.

Kjo, me siguri nuk do t’u pëlqejë strategëve në Kremlin, edhe pse çmimi i shitjes prej rreth një miliard eurosh ishte dy herë e gjysmë më i lartë se ai me të cilin Rusia e kishte blerë NIS-in, shkruan gazeta, duke shtuar se tani po ndryshon plotësisht renditja energjetike në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë rend të ri, shkruan FAZ, nëse amerikanët pranojnë blerjen, përfiton fqinji i Vuçiqit, kryeministri hungarez Viktor Orban. Kompania hungareze e naftës MOL vazhdon të blejë naftë dhe gaz të lirë nga Rusia dhe, me NIS-in në portofolin e saj, hungarezët do të kontrollojnë të gjithë tregun e naftës dhe gazit në Ballkanin Perëndimor.

Përveç kësaj, Orbani “liberal” ka marrëdhënie të mira si me Trumpin ashtu edhe me Vladimir Putinin. Në Bashkimin Evropian ai voton kundër çdo vendimi që e dobëson Rusinë, e cila tashmë katër vjet po sulmon Ukrainën. Në BE, kjo afërsi e tij me Moskën shumëkënd e dëbon. Prandaj Spanja dhe Rumania u kanë ndaluar investitorëve hungarezë të marrin pjesë në privatizimin e hekurudhave dhe kompanive energjetike, kujton gazeta.

Por, me marrjen e NIS-it, Orbani e ka ndihmuar Rusinë të mbetet në lojë si furnizuese e naftës dhe gazit, shkruan e përditshmja gjermane.

Megjithatë, ironia është se, pavarësisht distancës së Orbanit ndaj BE-së, ikja e Vuçiqit në përqafimin e Orbanit nënkupton edhe afrimin me BE-në, rregullat e së cilës vlejnë edhe për MOL-in, shkruan gazeta.

Një lëvizje e vetme e penës në Uashington e detyroi sundimtarin në Beograd, i cili e konsideronte veten të barabartë me presidentët e Rusisë dhe Kinës, të zbresë në tokë dhe të përballet me faktet. Vuçiqi është sundimtar i një vendi të vogël me rritje të ngadalësuar ekonomike, me sistem juridik të korruptuar dhe me një popullsi që është rebeluar në atë masë kundër tij saqë e detyroi atë të premtojë zgjedhje të parakohshme, shkruan FAZ./Paparaci.com