Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të pabazuar ankesën e paraqitur nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila kishte ngritur shqetësime ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) lidhur me një fotografi të shpërndarë në Mitropol, ku shihen përfaqësues të PDK-së së bashku me një klerik fetar, shkruan Mitropol.
Ankesën në fjalë e kishte paraqitur kandidati i LVV-së për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, i cili pretendonte se fotografia, ku shihet kandidati i PDK-së Arian Tahiri së bashku me Bedri Hamzën, dëshmon përfshirje të elementeve fetare në fushatë zgjedhore, gjë që sipas rregullave të KQZ-së është e ndaluar.
Si provë, Peci dhe subjekti i tij politik i kishin bashkangjitur PZAP-it pikërisht fotografinë e publikuar katër ditë më parë nga portali Mitropol. Mirëpo, gjatë shqyrtimit të lëndës, PZAP konstatoi se fotografia e publikuar nuk përmban elemente që provojnë se ajo është realizuar gjatë fushatës zgjedhore, e as nuk dëshmon për mbajtjen e një aktiviteti politik ku do të ishte përfshirë një klerik fetar.
Në vendimin e datës 20 shtator 2025, PZAP thekson se ankesa e LVV-së “është e pabazuar, sipërfaqësore dhe jo e konkretizuar”, duke nënvizuar se publikimi i një fotografie në media nuk përbën provë të qartë dhe bindëse për shkelje të rregullave zgjedhore. Paneli shton se as subjekti ankues, e as prova e ofruar, nuk kanë dëshmuar se fotografia është realizuar gjatë periudhës së fushatës apo në ndonjë aktivitet politik të PDK-së.
Me këtë vendim që ka siguruar Mitropol, PZAP refuzoi ankesën e paraqitur nga Faton Peci dhe Lëvizja Vetëvendosje, duke bërë të qartë se fotografia e publikuar nga Mitropol nuk mund të përdoret si argument ligjor për shkelje zgjedhore.

