“Fat të mbarë, Victor” dhe “Faleminderit për gjithçka, Napoli”…; kontratë faraonike për sulmuesin nigerian

Tani është zyrtare: Victor Osimhen largohet përfundimisht nga Napoli dhe firmos me Galatasaray. Të dyja klubet kanë njoftuar transferimin e sulmuesit nigerian, i cili kalon te kampionët e Turqisë për 75 milionë euro. Klubi napoletan do të përfitojë gjithashtu 10% të shumës nga një shitje e ardhshme e mundshme.

Osimhen ka nënshkruar kontratë 4-vjeçare, me pagë neto prej 15 milionë eurosh në sezon, plus 1 milion bonus besnikërie dhe 5 milionë të tjera si kompensim për të drejtat e imazhit. Një marrëveshje e jashtëzakonshme për të gjitha palët.

Kështu përfundon një nga “telenovelat” më të gjata dhe më të ndërlikuara të verës, me një fund që i kënaq të gjithë:

Napoli përfiton shumën e plotë të klauzolës së lirimit dhe regjistron një plusvalencë rekord, të dytën më të madhe në historinë e klubit, pas shitjes së Gonzalo Higuain te Juventusi.

Osimhen kalon te një klub që e ka kërkuar me ngulm dhe me të cilin do të luajë sërish në Champions League si protagonist.

Galatasaray ruan në skuadër një golashënues që sezonin e kaluar ka realizuar 37 gola në 41 ndeshje dhe që do të ishte thuajse e pamundur ta zëvendësonte.

Lamtumira ndaj Napolit: “Faleminderit për gjithçka”
Osimhen dhe Napoli i kanë dhënë lamtumirën njëri-tjetrit në Instagram. Klubi publikoi një video emocionuese me momentet më të bukura të sulmuesit me fanellën blu, duke i uruar fat të mbarë në vijim të karrierës.
Osimhen e ripostoi videon në “story”, duke falënderuar Napolin për gjithçka.

Në katër sezone me ekipin kampan, Osimhen zhvilloi 133 ndeshje dhe shënoi 76 gola, duke e udhëhequr si golashënues drejt titullit kampion në sezonin 2022-2023, “scudetto”-ja e parë pas 33 vitesh.

The post “Fat të mbarë, Victor” dhe “Faleminderit për gjithçka, Napoli”…; kontratë faraonike për sulmuesin nigerian appeared first on Telesport.