Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt i refuzohet nga gjykata kërkesa për hudhje të aktakuzës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që të rrëzojë kërkesën për hudhje poshtë të aktakuzës ndaj kryeshefit të Ibër-Lepencit, Faruk Mujkës, si dhe drejtorit të përgjithshëm në Institutin e Kosovës për Administratë Publike, Hysen Muzliukajt.

Gjykata ka marrë vendim të formës së prerë që kërkesat e mbrojtjes së të pandehurve për hudhje poshtë të aktakuzës të rrëzohen dhe të vazhdohet me procedimin e aktakuzës, raporton Gazeta Insajderi.

Mbrojtja e të pandehurit Mujka ka pretenduar se ky i fundit s’ishte vendimmarrës në këmbimin e pronës private dhe se vendimi është marrë nga Kuvendi Komunal, ku atëkohë Mujka s’kishte të drejtë vote.

“…Atëherë të gjithë anëtarët e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës që e votuan dhe e aprovuan këtë Vendim për këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Mitrovicës, do të duhej të ishin nën aktakuzë, por nuk janë, sepse vendimi për këmbimin e pronës së Komunës së Mitrovicës u vlerësua se ishte i ligjshëm dhe në interes të Komunës së Mitrovicës. Aktakuza kundër të mbrojturit tim mbështetet në vetëm në deklarimet e dëshmitarëve me të cilin pretendohet se është kryer vepra penale e lartcekur, si dhe aktakuza është në kundërshtim me dispozitën ligjore nga neni 235, par. 1. nënpar. 1.5. KPP-së pasi që PSRK, paraqet dispozitiv të pa strukturuar, të pa bazuar në fakte, kontradiktor madje e ndërtuar në kundërshtim me obligimet ligjore nga legjislacioni penal”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e avokatit Xhafer Tahiri, i cili mbron Mujkën.

Mbrojtja e Mujkës po ashtu konteston pikën e dytë të aktakuzës për mos-deklarim të pasurisë, gjegjësisht të mjeteve financiare në vlerë prej rreth 60 mijë eurosh. Thotë se Prokuroria Speciale s’ka prova për kohën kur janë përfituar kjo shumë financiare, vetëm supozon se Mujka i kishte këto mjete nga viti 2022.

Në anën tjetër, mbrojtja e Hysen Muzliukajt po ashtu e konsideron si subjektive aktakuzën ndaj tij, sepse sipas tyre, aktakuza bazohet vetëm në deklarimet e dëshmitarëve.

“Aktakuza kundër të pandehurit Hysen Muzliukaj mbështetet vetëm në deklarimet e dëshmitarëve me të cilin pretendohet se është kryer vepra penale e lartcekur të pa mbështetje në prova me të cilat do të argumentoheshin faktet relevante, pasi që dispozitivi për veprën të cilat ngarkohet i mbrojturi im duhet hedhur poshtë, meqë të njëjtat nuk përcaktojnë qartazi siç kërkon legjislacioni penal si vendin dhe kohën objektin në të cilin është kryer dhe mjetin me të cilin është kryer vepra penale, që e bënë atë të jetë në kundërshtim me dispozitën ligjore nga neni 235, par. I. nën par. 1.5 të KPP-së, pasi që është detyrë e PSRK që të argumentoj me prova relevante dhe të qëndrueshme”, thotë avokati i Muzliukajt, Ahmet Tahiri, në parashtresën e tij.

Megjithatë, Prokuroria Speciale iu qëndron pas dy pikave të aktakuzës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, pas shqyrtimit të parashtrimeve, ka gjetur se ishin Mujka dhe Muzliukaj ata që mundësuan inicimin e procedurës së këmbimit të ish-objektit të Bankosit, pasi që të dy nënshkruan propozimin dhe vunë në lëvizje mekanizmin vendimmarrës Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut.

Gjykata po ashtu thotë se Muzliukaj, bazuar në video-incizimin e mbledhjes së kuvendit komunal, nuk kishte dhënë asnjë sqarim për objektin në fjalë, ku asamblistët s’ishin në dijeni se çfarë kishin për të votuar.

Ndërkaq sa i përket çështjes së mjeteve të gjetura në shtëpinë e Faruk Mujkës, gjykata thotë se pretendimet e mbrojtjes janë të pabazuara, meqë vetë Mujka gjatë deklarimit para hetuesisë ka thënë se këto janë kursimet e tij gjatë 22 viteve punë dhe të ardhurave të bashkëshortes.

“Andaj pretendimi bie poshtë nga vetë deklarata e të pandehurit Faruk Mujka, ku fakti që ai nuk e deklaroi në formularin e vitit paraprak (2022) është i mjaftueshëm për të konsumuar elementet e veprës penale sipas nenit 430, par. 2. të KPRK, në rastin konkret, nuk është kontestuese që i pandehuri Faruk Mujka e ka dorëzuar deklaratën vjetore dhe në të nuk ka pasqyruar shumën 60,050 euro”, thuhet në aktvendimin e gjykatës.