Ndonëse mbrëmë pas takimeve në Berlin nuk u deklarua që palët janë pajtuar që të vazhdojë dialogu për shkak se taksa nuk është hequr ende, ndryshe thuhet në konkluzionet e publikuara në faqen e Kancelarisë Gjermane.
Ndër të tjera, aty sqarohet se Kosova dhe Serbia janë pajtuar t’i implementojnë marrëveshjet e arritura si dhe të vazhdojnë dialogun me ndërmjetësimet BE-së.
Pas takimeve Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se nuk u arrit ndonjë marrëveshje, dhe të njëjtën e tha edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për media.
“Kosova dhe Serbia janë pajtuar për të çuar përpara përpjekjet e tyre për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese dhe përsëri të jenë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me qëllim të arritjes së një marrëveshje të plotë dhe përfundimtare”, thuhet në sqarimin e Berlinit zyrtar.
“Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e një procesi negociator gjithëpërfshirës dhe transparent, i cili duhet të shoqërohet me masa të ndërtimit të besimit”.
Sipas kancelarisë, palët ranë dakord që të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të krijuar një hapësirë ekonomike rajonale në përputhje me deklaratën e Samit të Sofjes në vitin 2018, dhe konkluzionet e Kryesisë së Samitit të Ballkanit Perëndimor në Londër 2018.
Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me kryeministrat e Kroacisë dhe Sllovenisë, përfaqësuesit e Lartë të Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendës-President i Komisionit Evropian dhe zëvendës president i Komisionit Europian, u takuan dje në Berlin me presidentin e Francës dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel.