Kim Kardashian publikoi disa fotografi joshëse nga pushimet në Karaibe me motrat e saj Khloe, Kendall dhe Kylie, por ajo arriti të shqetësojë fansat për një arsye të papritur.
Në imazhet e postuara në Instagram, 45-vjeçarja pozonte mbi shkëmbinj të mbuluar me myshk të lagësht, duke veshur një kostum banje të bardhë dhe një fund transparent.
Shumë ndjekës e cilësuan vendin si “të rrezikshëm”, pasi myshku është tepër i rrëshqitshëm. “Mos ec mbi shkëmbinj me myshk!”, i shkroi një fans, ndërsa një tjetër e paralajmëroi: “Ki kujdes, Kimmy!”.
Ndërkohë, Lindsay Lohan, Amy Schumer dhe Khloe Kardashian pëlqyen postimin, duke treguar mbështetje për yllin e “The Kardashians”.
Fotografitë u publikuan vetëm pak orë para se Kim të merrte rezultatet e provimit të saj të jurisprudencës në Kaliforni, një hap i rëndësishëm në rrugën për t’u bërë avokate, ashtu si babai i saj i ndjerë, Robert Kardashian, shkruan DailyMail.
Provimi, i njohur për vështirësinë e tij, përfshin pyetje me zgjedhje, ese dhe teste performance.
Kjo periudhë intensive vjen gjithashtu mes angazhimeve të saj publike, pasi Kim ka reaguar ndaj politikave të emigracionit të Donald Trump, duke i cilësuar ato “çnjerëzore”.
Megjithatë, reagimet ndaj qëndrimeve të saj kanë qenë të ndara mes mbështetjes dhe kritikave. /Telegrafi/













