Familja Thaçi e ngushëllon Familjen Nano në emër të ish-presidentit Hashim Thaçi

Familja e ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili po mbahen në paraburgim në Hagë që 5 vjet, e ka ngushëlluar edhe në emër të tij familjen e ish-kryeministrit shqiptar tashmë të ndjerë, Fatos Nano.

Familja Thaçi ka thënë se përkrahja që Nano i dha çështjes së Kosovës në periudhën e paraluftës dhe luftës së viteve 1998–1999 është historike dhe kontributi i tij mbetet një trashëgimi e çmuar e vlerave tona kombëtare.

Ky është telegram i ngushëllimit të Familjes Thaçi për Familjen Nano:

E nderuar Familje Nano,

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano.

Në këto ditë dhimbjeje, në emër të Familjes Thaçi dhe të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta juve, përfaqësuesve të institucioneve të shtetit shqiptar dhe miqve të z. Nano.

Fatos Nano i përket gjeneratës së liderëve që me sukses transformuan politikën shqiptare në kthesat historike nga sistemi monist në një shoqëri demokratike pluraliste. Me shpirtin reformator, tolerancën dhe kulturën politike moderne, ai dha shembullin e një lideri të pjekur, duke i hapur udhë brezit të ri politik.

Përkrahja që z. Nano i dha çështjes së Kosovës në periudhën e paraluftës dhe luftës së viteve 1998–1999 është historike dhe kontributi i tij mbetet një trashëgimi e çmuar e vlerave tona kombëtare.

Kujtimi për ish-kryeministrin shqiptar, Fatos Nano, do të mbetet gjithmonë i përjetshëm.

Me respekt të thellë,

Familja Thaçi

Link: https://www.facebook.com/share/p/1A48rry7uh/