Familja Hoti 18 vite në pritje të drejtësisë që s’po vjen për pronën në Fushë-Kosovë

Familja Hoti nga Fushë-Kosova thotë se prej 18 vitesh po kërkon drejtësi pas përballjes me familjen Millaku, të cilët sipas tyre kanë uzurpuar një pronë që Hotët e kishin blerë që në vitin 2007.

Përveç kontestit pronësor, familja Hoti pretendon se është përballur edhe me kërcënime dhe sulme fizike nga fqinjët e rinj.

Rasti ka kaluar nëpër policë, prokurorë e gjykatës që nga viti 2007, por familja thotë se ende nuk ka gjetur zgjidhje të plotë. Njëri prej rasteve përfundoi me një dënim prej një viti burg për kanosje për Mustafë Millakun, vendim ky që nuk e la të kënaqur Shahin Hotin, viktimën e rastit, raporton Kiks Kosova.

Sipas Hotit, kërcënimet nuk kanë qenë të izoluara, por kanë vazhduar për më shumë se një dekadë e gjysmë.

Avokati i familjes, Ardian Bajraktari, thekson se organet e drejtësisë kanë dështuar të veprojnë me kohë, duke bërë që në disa raste të pushojë ndjekja penale. Ai shton se kjo situatë ndodh shpesh, pasi gjykatat në Kosovë janë të mbingarkuara me lëndë të pazgjidhura.

Ai tha se ligji është i prerë: nëse pretendimet nuk bëhen brenda afatit, atëherë drejtësia humb peshën edhe kur je në të drejtë