Familja e argjentinases së vrarë do ta apelojë dënimin me 18 vjet burg ndaj Endrit Nikës

Familja e argjentinasës së vrarë, Maria Clara Urdangaray, do ta apelojë vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila e shpalli fajtor Endrit Nikën dhe e dënoi me 18 vjet burgim.

Në një prononcim për media, prindërit e saj deklaruan se, ndonëse vendimi përfaqëson një hap drejt drejtësisë, asgjë nuk mund ta lehtësojë dhimbjen për humbjen e vajzës së tyre.

“Sot Maria Clara mund të pushojë në paqe. Përkundër të gjitha vështirësive ka qenë vështirë që nga fillimi për ta rikthyer por ne gjithmonë kemi besuar në drejtësinë e Kosovës. Me gjitha provat e ka mbështetur të vërtetë, Clara e ka marrë drejtësinë dhe i falënderojmë autoritetet e Kosovës dhe gjithë shoqërisë për mbështetjen.

Vajza jonë është e vdekur, asgjë nuk mund të na ngushëllojë, e ai vazhdon të jetojë ndërsa vajza jonë ka përfunduar e vdekur në formën më brutale dhe është dashur të shoh gjithçka para se të vdes njeriu. Nuk mund të dënohet aq sa meriton. Me shumë gjasë do ta apelojmë këtë vendim. Në sistemin tonë gjyqësor të drejtësisë në Argjentinë një vrasës i gruas, dënohet me burgim të përjetshëm”, thonë prindërit e saj.