Në veri të Kosovës janë regjistruar disa incidente, përfshirë dyshime për falsifikim parash, hyrje të paligjshme dhe përpjekje për kontrabandë mallrash, ka njoftuar policia, transmeton Paparaci.
Në Mitrovicën e Veriut, menaxheri i një banke ka raportuar se është depozituar një kartëmonedhë prej 50 eurosh për të cilën dyshohet se është e falsifikuar. Policia ka nisur hetimet dhe rasti është në proces.
Në fshatin Vraçevë, pranë Leposaviqit, policia rreth orës 17:30 ka arrestuar dy burra, shtetas të Serbisë, nën dyshimin se kanë hyrë ilegalisht në Kosovë. Pas marrjes në pyetje dhe me urdhër të prokurorit kompetent, atyre u është caktuar masa e ndalimit në qendrën e paraburgimit.
Po atë ditë dhe në të njëjtin vend, në orët e mbrëmjes, njësia policore për luftimin e kontrabandës ka ndaluar një kombi me targa holandeze. Automjeti drejtohej nga një burrë, shtetas i Holandës me prejardhje shqiptare. Ai nuk posedonte sigurim kufitar, ndërsa në automjet ndodheshin mallra komerciale.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, me urdhër të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është liruar, ndërsa automjeti është dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtejshme. Rasti vazhdon në procedurë të rregullt./Paparaci.com









