Një video e Lëvizjes Vetëvendosje, ku përmendet të bëmat e Qeverisë Kurti II, ka nxitur reagime të shumta. Pretendimet e përmendura në video janë hedhur poshtë nga opozita. Sipas përfaqësuesve të partive opozitare, të “arriturat” që janë numëruar në video në fjalë janë propagandë e partisë në pushtet.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë me dije se kjo Qeveria ka sjell vetëm stagnim.
“Kur s’ke çfarë të tregosh nga puna, kthehesh te propaganda – aty ku LVV është kampione e padiskutueshme. Kjo qeverisje s’ka sjellë as zhvillim, as mirëqenie, as shpresë. Ka sjellë vetëm rritje – rritje çmimesh, rritje faturash. Produktet bazike janë luks. Energjinë elektrike luks poashtu. Në çdo fushë tjetër: stagnim, dështim dhe degradim. Por për ta, mjafton të flasin. Se fjala është e lirë, ndërsa përgjegjësia, duket, u është e huaj”, ka shkruar Çitaku në profilin e saj në “Facebook”.
Edhe nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, këtë video e ka vlerësuar si propaganduese.
“FAKTET PARA PROPAGANDËS. Qeveria e LVV-së, është e vërtetë që është qeveria e parë që ka përmbyllur një mandat të plotë, por është mëse e vërtetë se është qeveria më e dështuar prej pasluftës. Sepse, në Qeverinë e LVV-së: • Kosova është nën sanksione. • Që katër vite nuk kemi asnjë njohje, nuk kemi asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. • Kosova kurrë më e izoluar s’ka qenë”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.
Ajo i ka përmendur edhe dëmet që kjo qeveria ia ka sjell Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.
“Gjatë kësaj kohe, Kurti i ka lënë trashëgimi Kosovës Marrëveshjen e Brukselit, aneksin e Ohrit dhe ka pranuar draft-asociacionin e komunave me shumicë serbe që çon drejt federalizimit të vendit, apo thënë më mirë drejt defunksionalizimit të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Bajrami.
Videon e VV-së e ka komentuar edhe njohësi i çështjeve politike, Shenoll Muharremi, i ka reaguar VV-së pas publikimit të një videoje lavdëruese për punën 4-vjeçare.
Muharremi ka shkruar se nuk duhet të diskutohet për “sukseset” e së kaluarës.
Ai ka përmendur rritjen e çmimeve, çmimin e energjisë dhe formimin e qeverisë.
“Mos na flisni shumë për “sukseset” e së kaluarës, se na këtu jetojmë. Nga ai “zhvillimi ekonomik” që na e keni përmend çdo ditë na u ndal edhe rryma në dhjetor. Çmimet shkuan n’qiell, përsëri… një maratonë prej vitit 2021 që asnjëherë nuk përfundoj. Pasiguri gjithandej. Boll me nostalgji, po përqendrohuni tek e tashmja. Pse nuk po e formoni qeverinë tash e disa muaj? Pse nuk po kujdeseni për qytetarët, që prej kohësh ndihen si jetimë, të lënë pas dore, të lënë vetë? Kur i lypshit 500 mijë vota, thoshit: “Aman, zaman, ju lutem, na jepni një shans!” I morët votat, edhe?… humbët”, ka shkruar Muharremi në profilin e tij në “Facebook”.
Çka thuhet në video?
Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një video përmbledhëse të mandatit 4-vjeçar qeverisës.
Në këtë video, VV-ja krenohet me luftimin e korrupsionit, vizat, sovranitetin në veri.
“Qeveria Kurti është qeveria e parë në historinë tonë politike që realizon një mandat të plotë. Ky mandat katërvjeçar u shënua nga suksese të rëndësishme dhe sfida të mëdha. Katër vite për Republikën, katër vite që i dhanë shtetit themel të fuqishëm dhe qytetarëve dinjitet. Kosova sot është më e sigurt, më e fortë dhe më e zhvilluar se kurrë më parë, me rend, ligj dhe shpresë në çdo cep të vendit”, thuhet në video, duke u përmendur edhe gjera tjera.
“Zgjedhjet e 9 shkurtit dëshmuan punën tonë të mirë gjatë këtij mandati. Na presin shumë punë të mira edhe në mandatin e ardhshëm. Po jetojmë në rrethana të vështira globale, por vetëm me qeverisje të mirë mund të triumfojmë”, thuhet aty.