EULEX’it i zgjatet mandati edhe për dy vjet

Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), i është zgjatur mandati deri më 14 qershor të vitit 2027, shkruan Reporteri.net.

Vendimi është marrë dje nga Këshilli i Bashkimit Evropian. Sipas vendimit paraprak, mandati i këtij misioni ishte deri më 14 qershor të këtij viti.

“Në kuadër të shqyrtimit strategjik të EULEX KOSOVO, Komiteti Politik dhe i Sigurisë ra dakord që Mandati i Misionit të zgjatet deri më 14 qershor 2027. Asgjë në këtë Vendim nuk duhet të kuptohet si cenim i pavarësisë dhe autonomisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve që veprojnë në kuadër të procedurave gjyqësore në kontekstin e EULEX KOSOVO”, thuhet në vendim.


Shuma e ndarë për mbulimin e shpenzimeve të EULEX në Kosovë nga data 15 qershor 2025 deri më 14 qershor 2027 është 170,866,980 euro.

 

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka filluar në vitin 2008. Aktualisht Shef i EULEX’it është Giovanni Pietro Barbano. Misioni zhvillon aktivitete të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit dhe ka funksione ekzekutive të kufizuara./Reporteri.net