Shefi i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij vizitoi sot Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ku u prit nga Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula.
Gjatë këtij takimi u diskutua për angazhimin e Prokurorit të Shtetit lidhur me mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe fillimin e hetimeve paraprake lidhur me mospërputhjen e votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, informoi për koordinimin në mes të prokurorive dhe Koordinatores Nacionale lidhur me të gjitha aktivitetet e Prokurorit të Shtetit që janë ndërmarrë në rastet kur ka pasur cenim të procesit zgjedhor, si dhe duke përfshirë edhe bashkëpunimin ndërinstitucional në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit për procesin zgjedhor, në mes të institucioneve që merren me administrimin e zgjedhjeve dhe shqyrtimin e rasteve zgjedhore.
Tutje prokurorja Pula informoi të pranishmit se pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në të gjitha komunat, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor.
Më tej koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula theksoi se pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që të ketë rinumërim të plotë në të gjitha komunat, Prokurori i Shtetit do të fillohej grumbullimin e provave të nevojshme në nivel vendi.
Ndërsa, shefi i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, përgëzoi punën që është duke u bërë nga sistemi prokurorial në mbrojtje të votës.










