Hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, ka thënë se VV-ja e ka përgjegjësinë aktuale për krizën në vend.
Por, ai ka thënë se as opozita, nuk e ka luksin e papërgjegjësisë.
Postimi:
Kur kërkim-llogaridhënia trajtohet si monolog kundër pushtetit, e jo si standard ndaj kujtdo që mban mandat publik, nuk po mbrohet demokracia, por komoditeti politik.
Si shoqëri civile, nuk jemi këtu për të dekoruar retorikën e askujt. Ne flasim kur shteti ngec dhe kur përfaqësuesit politikë – pozitë apo opozitë – nuk ushtrojnë funksionet e tyre. Mbi të gjitha, është e padrejtë të thuhet se kemi heshtur për katër vite, kur shpesh kemi qenë zëri i vetëm në thirrjet për transparencë, integritet dhe zgjidhje.
PO, LVV e ka barrën kryesore në krizën aktuale. Këtë e kemi artikuluar hapur, pa ekuivok dhe vazhdimisht!
Por, JO, kjo nuk do të thotë se të tjerët kanë luksin e papërgjegjësisë.
Ideja se opozita është e paprekshme nga kritika, se kriza është “monopol” i pushtetit, apo se ndarja e përgjegjësisë është padrejtësi, është kundër çdo logjike institucionale.
Në një realitet pa shumicë, çdo refuzim sistematik i dialogut dhe i çdo formule zgjidhjeje është pjesë e bllokadës, pavarësisht pozitës që mban.
Qasja “JO për të gjithë” nuk është as parimore, as e drejtë. Është thjesht pengesë për ecjen përpara.
Nëse askush nuk ndryshon qasje, edhe zgjedhjet e reja do të prodhojnë të njëjtën krizë. Me ndryshimin e vetëm, që do të shpenzojmë miliona euro për të larë linjat e kuqe apo retorikën ndaj të tjerëve.
Kur Kuvendi nuk funksionon dhe shteti është në pauzë, askush që mban mandat publik nuk është pa përgjegjësi. Dhe askush nuk është i përjashtuar nga pyetja më e thjeshtë publike: çka je duke bërë për zgjidhje?