Ervin Bulku: Edhe pse jam shqiptar, do të mbështes Hajdukun kundër Dinamo City në Europë

“Hajduku dhe shqiptarët. Lidhjet nuk mungojnë, janë thuajse të panumërta. Lojtarët shqiptarë e duan Hajdukun dhe e kundërta. Shumë prej tyre kanë veshur fanellën e bardhë ndër vite dhe shumica kanë lënë përshtypje shumë të mira. Ja ku kemi tani edhe Adron Pajazitin.

Sapo ka mbërritur dhe tashmë po drejton mesfushën e Hajdukut, i është imponuar me shpejtësi trajnerit Gonzalo Garcia. Rreth tij po ndërtohet ky Hajduk. Pas Zira, që u eliminua me shumë më tepër vështirësi sesa pritej, pengesa e radhës është një klub shqiptar. Me një emër të çuditshëm, Dinamo City.

Një klub nga Tirana, aspak më i njohuri (në fakt, me këtë emër të ri ka kaluar vetëm një tur në Kupat e Europës, në histori, por ‘de facto’ kemi të bëjmë me “reset” e Dinamos së famshme shqiptare të historisë dhe traditës së jashtëzakonshme), kundër të cilit Hajduku nuk do të duhej të kishte probleme të mëdha.

Nuk do të duhej…, por të mos nxitojmë. Në Europë, porta e Hajdukut goditet nga të gjitha anët, edhe nga “të vdekurit”. Nga “deti” i shqiptarëve që kanë luajtur për Hajdukun, veçuam Ervin Bulkun. Me të kemi ndoshta historinë më interesante…”

Kështu e nis shkrimin e vet media kroate “Slobodna Dalmacija“, duke iu referuar raporteve mes klubit të futbollit në fjalë dhe shqiptarëve, në kuadrin e prognozës së përballjes në “Conference League” me të besuarit e Ilir Dajës.

Nën titullin “goditës” (“Ervin Bulku: Edhe pse jam shqiptar, do të mbështes Hajdukun kundër Dinamo City në Europë”), media kroate nis diversionin… Për të, ndihmësi i trajnerit të kombëtares së Shqipërisë dhe ish-lojtari i Hajdukut, jep garanci të tilla si “Dinamo nuk ka tifozë, ndërsa Hajdukut do t’i duket si në shtëpi kur të luajë te ne”.

Kujtojmë se Hajduku arriti me shumë vështirësi të kualifikohej në raundin e tretë të “Conference League”, duke mposhtur ekipin azerbajxhanas Zira në “Poljud”, me rezultatin 2-1, pas kohës shtesë. Kundërshtari i radhës për skuadrën nga Spliti do të jetë Dinamo City nga Shqipëria, që eliminoi Escaldes me rezultat të përgjithshëm 3-2. Ndeshja e parë do të luhet të enjten, më 7 gusht, në orën 21:00 në stadiumin “Poljud”.

The post Ervin Bulku: Edhe pse jam shqiptar, do të mbështes Hajdukun kundër Dinamo City në Europë appeared first on Telesport.