Erion Veliaj lihet në burg

Pas dy seancash maratonë, Gjykata e Apelit të Posaçëm vendosi të lërë në fuqi masën e arrestit në burg për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Gjyqtari Engert Pëllumbi miratoi vendimin e Shkallës së Parë të dhënë nga gjyqtari Erjon Bani, duke refuzuar kërkesën e Veliajt për një masë më të lehtë sigurie.

Gjykata argumentoi se Veliaj duhet të qëndrojë në burg për shkak të dyshimeve të forta mbi “Korrupsionin pasiv të funksionarëve të zgjedhur” dhe “Pastrimin e produkteve të veprës penale”.

Kryebashkiaku kërkoi të lirohej me garanci pasurore, por kërkesa e tij u refuzua.

Ndërkohë, Apeli vendosi ndryshimin e masës së sigurisë për biznesmenin Elman Abule, duke e lënë në arrest shtëpie.

Abule akuzohet nga SPAK për “Korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të zgjedhur” dhe “Pastrimin e produkteve të veprës penale”.

Njoftimi i plotë:

R E P U B L I K A E S H Q I P Ë R I S Ë

GJYKATA E POSAÇME E APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

Tiranë, më datë13.03.2025

KOMUNIKIM PËR MEDIAN

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 13.03.2025,shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 13 akti, datë 04.03.2025 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim E.V., E.A., M.P., Sh.F., G.S., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 7, datë 09.02.02025 dhe vendimit nr. 14, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit Nr. 7 Akti, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i verifikuar me vendimin Nr. 14, datë 12.02.2025, të kësaj gjykate, me këtë ndryshim:

Zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arresti në burg”, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, e vendosur për personin në hetim E.A., me masën e sigurimit “Arresti në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i këtij Kodi;

Urdhërohet personi nën hetim E.A. që të mos largohet nga banesa e tij, e cila ndodhet në “***”, si dhe që të mos kontaktojë me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët bashkëjeton;
Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim E.A. nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet i izoluar për ndonjë shkak tjetër.

Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.