Eric Garcia, befasia e madhe e Barcelonës: E ardhmja ime është vetëm këtu, dua të rinovoj

Eric García po konfirmohet si një nga befasitë më pozitive të fillimit të sezonit te Barcelona. Mbrojtësi nga Martorell, falë paraqitjeve të qëndrueshme, është bërë i pazëvendësueshëm për Hansi Flick, duke konsoliduar rikthimin e tij pas huazimit te Girona, ku duhej të përballej me kritika dhe të provonte vlerën e vet.

Në një intervistë për “Sport”, García u ndal te rruga e tij e fundit dhe marrëdhënia me trajnerin: “Më kanë gjykuar pa durim. Është pjesë e kohës sonë dhe e rrjeteve sociale; ndonjëherë flitet pa e ditur realitetin”. Për Flick shtoi: “Më tha që sheh tek unë aftësi lidershipi. Po punoj për këtë, frymëzohem nga Íñigo”.
Sipas tij, momenti vendimtar ishte ndeshja kundër Benfica, ku fitoi besimin e trajnerit.

Mbrojtësi foli edhe për shokët e skuadrës. Për Ferran Torres tha se “është pak shakaxhi dhe më i rrezikshmi”; për Frenkie de Jong shtoi se “është lojtari më i nënvlerësuar”, ndërsa për Lamine Yamal theksoi: “Është shumë e vështirë ta ndalosh, ka talent të jashtëzakonshëm. Është Messi, pastaj vjen… ai”. Në fund, foli për të ardhmen: “Po bisedojmë për rinovimin dhe shpresoj që kjo të zgjidhet shpejt, dua të qëndroj”.

The post Eric Garcia, befasia e madhe e Barcelonës: E ardhmja ime është vetëm këtu, dua të rinovoj appeared first on Telesport.