Presidenti turk, Rexhep Erdogan, tha të mërkurën se Irani ka të drejtë legjitime për ta mbrojtur veten gjatë fushatës bombarduese të forcave izraelite.
“Është një e drejtë shumë e natyrshme, legjitime dhe ligjore për Iranin që ta mbrojë veten kundër banditizmit dhe terrorizmit shtetëror të Izraelit” – tha Erdogani, një ditë pasi kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, iu referua si “kërcënimi më i madh ndaj sigurisë në rajon”, shkruan gazeta “The Guardian”.
“Këto akte ishin të organizuara përderisa bisedimet bërthamore iraniane ishin duke u zhvilluar” – tha më tej presidenti turk.
“Izraeli, i cili ka armë bërthamore dhe nuk njeh asnjë rregull ndërkombëtare… nuk priti që bisedimet të përfundonin, por kreu një akt terrorist pa e pritur rezultatin” – shtoi ai.
“Ne jemi duke i përcjellë për së afërmi sulmet terroriste të Izraelit ndaj Iranit. Të gjitha institucionet tona janë në gjendje të lartë vigjilence në lidhje me efektet e mundshme të këtyre sulmeve ndaj Turqisë” – tha Erdogani.
“Jemi duke bërë përgatitje për çdo lloj skenari. Askush nuk duhet të guxojë që të na testojë” – paralajmëroi ai.
Të hënën, Erdogani tha se e kishte urdhëruar industrinë e mbrojtjes që ta shtonte prodhimin e raketave me rreze të mesme dhe të gjatë për ta “rritur nivelin e parandalimit” pas luftës ajrore mes Izraelit e Iranit./Nacionale