Erdogan kërkon rikthimin e Turqisë në programin F-35

Presidenti turk sinjalizon gatishmëri për zgjidhje të çështjes S-400.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë thirrje për rikthimin e vendit të tij në programin amerikan të avionëve luftarakë F-35, duke theksuar se kjo do të forconte marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe do të rriste sigurinë e NATO-s.

Në një deklaratë për Bloomberg, Erdogan tha se dorëzimi i avionëve F-35 për të cilët Turqia ka paguar tashmë dhe riintegrimi në program janë “të rëndësishme dhe të domosdoshme” si për marrëdhëniet dypalëshe me Washington-in, ashtu edhe për arkitekturën mbrojtëse të Aleancës Atlantike.

Presidenti turk vlerësoi se me rikthimin e Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë është krijuar një mundësi e re për të vendosur marrëdhëniet Turqi–SHBA në “një bazë më të arsyeshme dhe konstruktive”.

Ai zbuloi se e ka ngritur personalisht këtë çështje gjatë një takimi me Trump në Shtëpinë e Bardhë në shtator, duke e cilësuar përjashtimin e Turqisë nga programi F-35 si “të padrejtë”.

Ankaraja u përjashtua nga programi në vitin 2019, pas blerjes së sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400, një veprim që çoi edhe në vendosjen e sanksioneve amerikane në kuadër të ligjit CAATSA.

Erdogan theksoi se Turqia po kërkon një mënyrë për t’i kthyer ose hequr nga përdorimi sistemet S-400, në përpjekje për të riparuar marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes me SHBA-të, të cilat ai i quajti “shtyllë qendrore” të partneritetit dypalësh.

Sipas raportimeve, Erdogan e ka ngritur këtë temë edhe në një takim me presidentin rus Vladimir Putin në Turkmenistan, megjithëse Kremlini e mohoi më pas se çështja e S-400-ve ka qenë në agjendë.

Ndërkohë, ambasadori amerikan në Ankara, Tom Barrack, ka deklaruar se Turqia po i afrohet një zgjidhjeje për këtë çështje dhe se ajo mund të mbyllet brenda 4 deri në 6 muajve.