Erdogan: Civilët në Gaza po përjetojnë ferrin, të ndalet ekspansionizmi i Izraelit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një fjalimi në Samitin Joformal të Organizatës së Shteteve Turke (OTS) në Budapest, e përshkroi situatën humanitare në Gaza si “katastrofën më të rëndë të kohërave moderne”, ku civilët, sipas tij, “po përjetojnë ferrin”.

Në mesazhin e tij të fortë, Erdogan theksoi se përballë tragjedive të tilla, komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë përtej interesave të kufizuara kombëtare.

“Tragjeditë që ndodhën në Qipro, Karabak, Bosnjë në të kaluarën dhe në Gaza sot na kujtojnë se duhet të mendojmë përtej kufijve tanë,” u shpreh Erdogan.

Ai kërkoi që të kundërshtohet ashpër ajo që e quajti “ekspansionizëm pa kufij i Izraelit”, duke theksuar mbështetjen për integritetin territorial të Palestinës, Libanit dhe Sirisë.

Presidenti turk tha se vendet anëtare të botës turke duhet të luajnë një rol aktiv në arritjen e një armëpushimi dhe në ndihmën për rindërtimin e Gazës.

“Si bota turke, kontributi ynë në vendosjen e një armëpushimi, shpërndarjen e ndihmës humanitare, rindërtimin e Gazës dhe përpjekjet për një proces të përhershëm paqeje janë të rëndësishme,” tha ai.

Në fjalën e tij, Erdogan gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit brenda OTS-së për suksesin e Korridorit të Mesëm, si dhe përfshirjen e Republikës Turke të Qipros Veriore në strukturat e organizatës.

Lidhur me konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës, ai shprehu synimin për të vijuar përpjekjet diplomatike:

“Ne do të vazhdojmë kontaktet tona intensive me të dyja vendet drejt arritjes së një armëpushimi gjithëpërfshirës dhe një paqeje të drejtë,” tha Erdogan.

Në fund, ai propozoi që data 15 dhjetor të shpallet Dita Botërore e Gjuhës Turke, gjatë Konferencës së 43-të të Përgjithshme të UNESCO-s.