“Samiti aktual arabo-islamik në kryeqytetin e Katarit, Doha, i mbajtur pas sulmit izraelit të javës së kaluar në qytet, demonstron mbështetjen e palëkundur të botës islame për shtetin e Gjirit”, tha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duke theksuar se bota islame ka kapacitetet e nevojshme për të penguar ambiciet ekspansioniste të Izraelit.
“Sulmi i Tel Avivit, i cili shënjestroi ekipin negociator të grupit palestinez Hamas në Katar, e ka çuar “banditizmin e Izraelit në një nivel të ri”, deklaroi Erdogan në fjalimin e tij në Samitin e Jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OIC) dhe Ligës Arabe.
Po përballemi me mentalitetin terrorist të Izraelit që ushqehet me kaos dhe gjak, dhe me një shtet që e mishëron atë”, shtoi ai.
“Është e pamohueshme se qëllimi i qeverisë Netanyahu është të vazhdojë masakrat dhe gjenocidet në Palestinë, ndërsa gjithashtu të shkaktojë paqëndrueshmëri në rajon”, sipas Erdoganit.
Presidenti turk tha se duhet të intensifikojnë përpjekjet diplomatike për të rritur sanksionet ndaj Izraelit.
“Bota islame ka mjetet dhe aftësinë për të zmbrapsur ambiciet ekspansioniste të Izraelit”, tha Erdogan, duke theksuar se Izraeli duhet të vihet nën presion edhe ekonomikisht.
Ai shtoi se Ankaraja do të vazhdojë luftën e saj të palëkundur derisa shteti palestinez të krijohet në bazë të kufijve të vitit 1967, me integritet territorial dhe Kudsin Lindor si kryeqytet. /AA/