Epopeja e Dukagjinit, qytetarët: Sakrifica e dëshmorëve nuk duhet harruar

Sakrifica e dëshmorëve të rënë në betejën e 24 marsit 1998 në Gllogjan u përkujtua sot nga qytetarë të shumtë, të cilët vizituan varrezat dhe nderuan 28-vjetorin e “Epopesë së Dukagjinit”.

Në këtë ditë, në përbaltjen frontale mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe që kishin rrethuar Gllogjanin, ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend dhe Agron Mehmetaj.

Qytetari Ragip Gegaj tha se kjo ditë ka domethënie të veçantë për popullin e Kosovës dhe se sakrifica e dëshmorëve nuk duhet harruar.

“Kjo, njëherë për popull shqiptar të Kosovës, sidomos për ata të besimit, pjesa myslimane, nuk ka nevojë me shku në Qabe. Qaben e kanë në Dukagjin, e kanë në Drenicë. Kudo që shkojnë te varret e dëshmorëve, kombi, nuk kanë nevojë me shku në Qabe. Më nevojë është me ardhë për kta djem të luftës, që kanë kontribu, ditët më të vështira të Kosovës. Që kanë dalë njerëzit e këtij vendi, e këtu mos me ardhë, nuk bën. Këto nuk duhet me u harru me breza. Sa të harrohen më shumë këto, më keq është për ne. E këto sende janë shumë të rëndësishme. Për ne nuk ka, nuk ka festë më të madhe për popullin e Kosovës. E është shumë e mirë mos me u harru”, tha ai.

Gani Çeku nga fshati Irzniq tha se vizitat dhe homazhet në këtë vend janë privilegj për çdo qytetar të Kosovës.

“Këtu ne jemi të privilegjuar sa herë që vijmë këtu dhe bëjmë vizita, homazhe. Vendi i shenjtë, jo vetëm për mua, po për krejt popullin e Kosovës. Prekazi edhe Gllogjani. Unë jam shumë, shumë krenar që vizitoj këto varreza të dëshmorëve”, tha ai.

Edhe Shefqet Demhasaj nga Carrabregu theksoi rëndësinë e kësaj date për të gjithë Kosovën, e sidomos për Dukagjinin.

“Kjo do të thotë, për mendimin tim, është e rëndësishme për krejt Kosovën, e sidomos për Dukagjinin. Se këtu është bërë faktikisht një rezistencë e madhe, kanë dhënë jetën shumë dëshmorë për Kosovën. Që populli ynë, të jetë i lirë, të jetë ashtu siç duhet. E Dukagjinit ia ka me borxh tërë Kosova, me luftën që është bërë në ’98-n, në ’99-n, që është ditë e shenjtë jo vetëm për Dukagjinin po për tërë Kosovën”, tha ai.

Nxënësja e klasës së tretë të shkollës fillore “Azdrini” në Pejë, Sumeja Lajçi, recitoi një vjershë për dëshmorët e Gllogjanit.

Sot janë bërë 28 vjet nga zhvillimi i betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan, e njohur si “Epopeja e Dukagjinit”, e zhvilluar më 24 mars 1998.

Në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale mes UÇK-së dhe forcave serbe, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin. Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.