Enver Hasani: Gjykata të vendosë urgjentisht masë të përkohshme ndaj dekretit të Osmanit

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, profesori Enver Hasani tha se Gjykata duhet të vendosë urgjent masën e përkohshme ndaj dekretit të nxjerrë sot nga presidentja në largim Vjosa Osmani.

Ai tha sot se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës është anti-kushtetues.

Hasani ka thënë se mbrëmë pas nisjes së procedurave për zgjedhjen e presidentit, ka filluar edhe rrjedhja e afatit 60 ditor.

“Patjetër që ky dekret arbitrar duhet të kontestohet dhe Gjykata Kushtetuese duhet ta thotë fjalën e fundit. Nuk duhet të lejohet ky arbitraritet dhe kjo papërgjegjësi totale ndaj Kushtetutës. Mbrëmë, pas nisjes së procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ka nisur rrjedhja e afatit 60-ditor. Gjykata duhet urgjent të vendosë masën e përkohshme për të penguar erozionin e mëtejmë të rendit kushtetues”, ka thënë ai për Kosova Press.

“Dekreti i sotëm është tërësisht jokushtetues dhe prek themelet e formës së pushtetit shtetëror. Roli dhe pozita e Presidentit të Republikës është e qartë në Kushtetutën e Kosovës dhe ai nuk është sistem presidencial”, ka shtuar Hasani.