Energjia e pushtetit | Rryma që kalon kah njerëzit e Albin Kurtit

Derisa qytetarët e Kosovës paguajnë fatura të rritura të energjisë elektrike dhe përballen me ndërprerje të shpeshta të rrymës, një tjetër “rrymë” duket se po qarkullon në prapaskenë  ajo e parave, ndikimit dhe lidhjeve të afërta me pushtetin.

Sot energjia duket gjithnjë e më shumë si një ndërmarrje private  e menaxhuar përmes lidhjeve familjare e politike dhe bisedave WhatsApp-esh të mbyllura. Brenda një periudhe të shkurtër, rrjeti i lidhjeve të afërta me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin është shtrirë thellë në sistemin energjetik të Kosovës, duke e kthyer atë në një platformë për ndikim politik, pasurim të të afërmve dhe përfitime të mëdha financiare.

 

Vëllai i kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit ka kaluar në zyrën për shit-blerje të energjisë brenda KEK-ut. Taulant Kurti, është pozicionuar në një nga pikat më të ndjeshme të sistemit , Drejtorinë e Operimeve në Korporatën Energjetike të Kosovës. Dhe kjo nuk është gjithçka.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj i emëruar nga Kurti,  është përfshirë në një skandal ndërkombëtar për qindra mijëra euro që, sipas mediave sllovene, janë përdorur për ndikim politik dhe janë kanalizuar përmes firmës së tij private në Mal të Zi.

Por lidhjet nuk mbarojnë këtu. Në një grup të mbyllur në WhatsApp, ku marrin pjesë vetë Kurti, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministra të tjerë të qeverisë, janë zhvilluar biseda për tendera të ndjeshëm në sektorin e energjisë, përfshirë ndërhyrje direkte për të ndikuar se cila kompani duhet të fitojë, edhe nëse nuk i përmbush kushtet ligjore.

Edhe një kompani-fantazmë si “NOA”, e cila me vetëm dy punëtorë ka qarkulluar miliona euro duke i shitur energji shtetit gjatë qeverisjes së Kurtit. Qytetarëve, ndërkohë, u është shtrenjtuar rryma.

Po ashtu drejtori i ri i KEK-ut, Ylber Batalli, një ish-drejtues i KEDS-it dhe KESCO-s – del të jetë financues i Vetëvendosjes, çka ngritë dyshime serioze për kapje të institucioneve nga njerëz të afërt me partinë në pushtet.

 

Rasti i fundit ishte ku kompania e themeluar nga Luan Dalipi, i cili është shef i stafit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, është në proces të licensimit për të furnizuar me energji elektrike.

Ish-ministri Mulaj: Edhe kjo Qeveri po ndjek të njëjtin model, energjia po kontrollohet nga të afërmit e pushtetit

Ish-ministri i Energjisë, Ismet Mulaj, ka folur për FrontOnline lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë në Kosovë, duke theksuar se kontrolli politik mbi këtë sektor nuk është i ri, por zhgënjimi i tij qëndron te pritjet për ndryshim që, sipas tij, Qeveria Kurti nuk i ka përmbushur.

“Nuk është risi kjo çka po ndodhë në Kosovë, ku politika i dirigjon njerëzit që lidhen me energji elektrike, për shkak se është një biznes profitabil”, u shpreh Mulaj.

Ai tha  se kjo praktikë ka qenë prezente edhe në qeveritë e kaluara, por se kishte besuar që do të ndryshonte me ardhjen në pushtet të Vetëvendosjes.

 

“Unë kam besu shumë se me Qeverinë Kurti do të jetë ndryshe nga qeveritë e kaluara dhe do të ofronte kushte të barabarta për të gjithë, por edhe kjo qeveri po vazhdon ngjashëm, me zënien e pikave kyçe dhe përfitimit të grupeve të caktuara,” tha ai.

Mulaj thekson se pavarësisht se Albin Kurti mund të mos jetë i përfshirë drejtpërdrejt, njerëzit përreth tij, sipas tij, po e përdorin pushtetin për përfitime personale.

“Ndoshta Kurti nuk është i lidhur direkt, por njerëzit e afërm po i shfrytëzojnë hapësirat dhe mundësitë dhe po përfitojnë nga të qenit në pushtet”, përfundoi ai.

Muhaxhiri: Lidhjet e njerëzve të afërt të Kurtit me biznesin e energjisë nuk janë më rastësi – kjo do t’i hakmerret në zgjedhje

Analisti politik Artan Muhaxhiri për FrontOnline ka ngritur shqetësime serioze mbi përfshirjen e figurave të afërta me Lëvizjen Vetëvendosje në biznesin e energjisë, duke e cilësuar këtë situatë si alarmante për kredibilitetin e qeverisjes së Albin Kurtit.

“Sigurisht të kishte qenë vetëm një rast, do të ishte dhe koicidencë, por tash janë ndërlidhur shumë akterë të VV-së me kontekstin e biznesit me rrymë, prandaj më nuk mund të konsiderohet si rastësi, por është shumë më tepër,” ka deklaruar Muhaxhiri.

Sipas tij, kjo situatë rrezikon të minojë besimin e qytetarëve në institucionet publike dhe premtimet e dhëna nga Kurti për një model të ri qeverisjeje.

“Për fat të keq, kjo situatë e zbeh edhe më shumë besimin e qytetarëve në funksionimin e institucioneve si të pavarura, në raport me udhëheqësit e tyre sepse e gjithë ideja me cilën Kurti ka ardhur në pushtet dhe ka fituar kaq shumë vota, ka qenë se ai do i ndërpres praktikat e së kaluarës, dhe do krijoj model të ri të qeverisjes, por një gjë e tillë nuk po ndodhë,” ka shtuar ai për FrontOnline.

Muhaxhiri paralajmëron se ky zhvillim mund të ketë pasoja elektorale për Kurtin dhe partinë e tij.

“Besoj se kjo do i hakmerret Kurtit në zgjedhjet e reja, kurdo që mbahen ato.” përfundoi ai.

Muhaxheri: Lidhjet familjare të afërta me pushtetin po thellojnë krizën korruptive në sektorin e energjisë

Njohësi i ekonomisë Artan Muhaxheri për FrontOnline ka komentuar lidhur me përfshirjen e njerëzve të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje dhe qeverinë Kurti në sektorin e energjisë, duke e cilësuar këtë situatë si pjesë të një krize të thellë korruptive.

“Vetë fokusi i VV-së që ka qenë energjetika në zgjedhje, ka qenë e qartë dhe e thjeshtë se s’ka qenë vetëm energjetika, por ka qenë më tepër se kaq – janë emrimet, keqpërdorimet në këtë sektor,” ka deklaruar Muhaxheri.

Ai thekson se sinjalet për probleme kanë qenë të shumta dhe të dokumentuara.

“Ka pasur sinjale, ka pasur mesazhe nëpër WhatsApp, ka pasur emërime dhe gjitha këto kanë përbërë këtë krizën e madhe korruptive në fushën e energjisë, dhe kjo e fundit me vëllain e Luan Dalipit,” shtoi ai për FrontOnline, duke iu referuar raportimeve për përfshirjen e të afërmve të këshilltarëve të lartë të qeverisë në bizneset energjetike.

Sipas tij, këto zhvillime nuk janë të izoluara dhe përbëjnë një rezultat të drejtpërdrejtë të korrupsionit institucional në këtë sektor.

 “E gjithë kjo e ka një rezultat – është rezultati i korrupsionit që po ndodhë në sektorin e energjisë elektrike.” përfundoi ai.