Këngëtarja e njohur shqiptare, Eneda Tarifa, ka qenë së fundmi e ftuar në emisionin “Reload” në RTV Dukagjini, ku ka rrëfyer në mënyrë të sinqertë dhe të hapur për etapat më të rëndësishme të karrierës dhe jetës së saj personale.
Gjatë bisedës, Eneda ka ndarë me publikun jo vetëm përvojat e saj artistike, por edhe momente të vështira që ka përjetuar familja e saj në vitet ’90, përfshirë humbjen e madhe financiare që pësuan nga skemat piramidale.
“Shqipëria ka pasur dy momente politike shumë të rëndësishme. Ishte viti ‘90 ku shqiptarët kërkuan demokracinë dhe përmbysën rendin e hershëm diktatorial, dhe erdhi një rend i ri – rendi i Republikës Demokratike. Së dyti, po ky rend prodhoi firmat piramidale, të cilat falimentuan dhe krijuan mes njerëzve një rrëmujë, varfëri, pasiguri. Këtu nisi lufta e njerëzve për të marrë paratë e tyre që i kishin futur në fajde”, tha Tarifa.
E pyetur nëse edhe familja e saj ishte viktimë e këtyre skemave, këngëtarja u përgjigj pa hezitim: “Patjetër, kemi humbur në atë kohë nja shtatë-tetë mijë euro. Por imagjinoje se çfarë vlere kishte ajo shumë për prindërit e mi, që ishin intelektualë dhe punonin çdo ditë për ato para”.
Ajo theksoi se këto para humbën përgjithmonë dhe nuk iu kthyen më. Rrëfimi i saj prekës ngjalli empati dhe solli në vëmendje një kapitull të dhimbshëm të historisë shqiptare, që preku mijëra familje në fund të viteve ‘90.
Eneda, e njohur për zërin e saj unik dhe karrierën e konsoliduar muzikore, tregoi edhe një herë se pas skenës qëndron një grua e fortë me histori të fuqishme personale, që i ka formësuar edhe më shumë si artiste dhe si njeri.