Ëndrra u bë realitet – PSG deklason Interin në finalen e Championsit dhe kompleton tripletën e artë

Paris Saint-Germain ka shkruar historinë e tyre, duke fituar për herë të parë Ligën e Kampionëve.

Skuadra franceze triumfoi 5-0 në finale përballë Interit, duke qenë dominuese që nga fillimi e deri në fund.

Pas vetëm 12 minutash lojë Desire Doue asistoi te Achraf Hakimi, që realizoi me lehtësi në portën e ish-skuadrës së tij.

Vetëm tetë minuta më Doue ndryshoi rol, nga asistues në golashënues, me asistimin e Ousmane Dembeles.

Me kaq edhe përfunduan 45 minutat e parë, me Interin që nuk arrinte të dilte përpara.

Edhe pjesa e dytë u dominua nga PSG-ja, duke shënuar dy gola të tjerë.

Doue kompletoi dygolëshin e tij, kur u asistua nga Vitinha në minutën e 63-të për 3-0.

Radha për gol i erdhi edhe Khvicha Kvaratskelhia, kur shënoi dhjetë minuta më vonë, ndërsa Dembele sërish ishte në rolin e asistuesit, për rezultatin 4-0.

Goditjen e fundit Interit ia dha talenti Senny Mayulu – kur shënoi për 5-0 në minutën e 87-të.

PSG me triumfin në Ligën e Kampionëve, kompleton tripletën, duke fituar Ligue 1 dhe Kupën e Francës.

Luis Enrique në anën tjetër bëhet trajneri i parë i tyre që e arrin këtë sukses, me shumë meritë – pasi ka krijuar një skuadër të frikshme.