Endriti me një rrëfim emocionues: Jam me fat që jam djali i Hashim Thaçit

Djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endriti, ka ndarë disa momente personale nga vizitat në Hagë, ku po mbahet babai i tij.

Në një bisedë me Grida Dumën, ai tregoi se familja e viziton Thaçin çdo muaj, pasi kanë të lejuara deri në tre vizita mujore.

“Diskutojmë për tema të ndryshme, për aktivitetet e tij ditore, për librat që lexon. Momenti më i vështirë është kur mbaron takimi, dhe ne duhet ta lëmë brenda. Dhimbje tepër e madhe”, u shpreh ai.

Më tej, ai u shpreh me fat që është djali i Hashim Thaçit.

“Jam me fat dhe jam shumë i lumtur që jam djali i tij, jam djali i një çlirimtari që fitoi luftën ndaj Serbisë, djali i një arkitekti që e ka bërë pavarësinë e Kosovës me shokët e tij, përgjegjësi e madhe por krenaria dhe lumturia është në qiell”.

“Nuk e kam menduar që në moshë të re duhet të jem kryefamiljar. Kam qenë 21 vjeç kur babai ka shkuar në Hagë, përgjegjësia ra mbi mua. Sa herë që shkoi atje, ai më thotë që të kujdesem për Mamin, gjyshen”.