Ende s’ka datë për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit

Edhe pse kanë kaluar më shumë se një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës më 28 dhjetor 2025, ende nuk është caktuar data për certifikimin e rezultateve përfundimtare.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka bërë të ditur se kur do të thërrasë mbledhjen për certifikimin, pasi procesi zgjedhor vazhdon të mbetet i hapur për shkak të ankesave që lidhen me rezultatet përfundimtare.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se institucioni është i obliguar të presë përmbylljen e të gjitha procedurave ligjore para se të ndërmarrë hapin e radhës.

“Aktualisht, procesi zgjedhor ndodhet në fazën e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 31 janar 2026. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimet e PZAP-it në Gjykatën Supreme, ndërsa afati për paraqitjen e ankesave përfundon sot.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë derisa vendimet të bëhen të plotfuqishme dhe më pas do të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”, tha Elezi./Paparaci