Gati një muaj pas fillimit të vitit të ri shkollor 2025–2026, një numër i konsiderueshëm i prindërve ende nuk i kanë pranuar mjetet financiare për blerjen e teksteve shkollore, ndërsa shumë nxënës vazhdojnë të përballen me mungesë të librave.
Kjo situatë, sipas Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), po e dëmton seriozisht rrjedhën normale të procesit mësimor dhe po krijon pabarazi në sistemin arsimor.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari thotë se sindikata kishte reaguar që para dy vjetësh ndaj formës së re të ndarjes së librave dhe procedurës së rimbursimit, por për fat të keq, situata është bërë edhe më e komplikuar.
“Si SBASHK kemi reaguar dhe e kemi kritikuar këtë formë të re të shpërndarjes së teksteve dhe rimbursimit që para dy vitesh. Kjo mënyrë është bërë shumë më e ndërlikuar dhe e vështirë sesa më parë”, ka thënë Jashari në një prononcim për IndeksOnline.
Jashari shprehet i shqetësuar për ndikimin që mungesa e teksteve ka pasur në procesin mësimor dhe në ndjesinë e barazisë mes nxënësve në shkolla.
“Ka prindër që ende nuk i kanë marrë mjetet shkollore, dhe besoj se ka shumë raste ku nxënësit ende nuk i kanë tekstet. Mungesa e librave shkollorë i vë në pozitë të vështirë mësimdhënësit, të cilët nuk e dinë nëse duhet të fillojnë shpjegimin e njësive të reja. Ata nxënës nuk kanë mundësi të bëjnë përsëritjen dhe këto telashe do të vazhdojnë gjatë gjithë vitit shkollor. Kjo nuk është menaxhuar siç duhet”, ka shtuar ai.
Sipas Jasharit, ky është viti i tretë radhazi që situata përsëritet, ndërsa kritikon edhe Ministrinë e Arsimit për mungesë reflektimi dhe mungesë veprimi konkret.
“Ne kemi besuar se Ministria e Arsimit dhe zonja Nagavci do të reflektonin, por për fat të keq, këtë vit shkollor nuk është bërë asgjë. Ky është gabimi i tretë radhazi, një gabim që nuk mund të falet, sepse po krijon edhe situata të ndjeshme, ku fëmijët nuk po ndihen të barabartë mes vete. Shpresojmë që në vitet e ardhshme shkollore të ketë një qasje ndryshe, një marrëveshje më të qartë me botuesit, që të kemi librat me kohë dhe me përmbajtje të re”, përfundoi ai.
Sipas sindikatës, një qasje më e koordinuar me shtëpitë botuese dhe me vetë institucionet arsimore do të siguronte që librat të jenë të qasshëm për çdo nxënës në kohë dhe në mënyrë të barabartë.