Emri i Dimal Bashës ‘i gdhendur në gur’ në punimin anti-UÇK, nuk hiqet as pas dy javësh

Punimi famëkeq ‘shkencor’ që përshkruan akuza dhe rrëfim zyrtar të Serbisë dhe Federatës Ruse ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për formacion ushtarak “i financuar me para të operacioneve të trafikimit të drogës” vazhdon të ketë emrin e Dimal Bashës të gdhendur si në gur. Kjo edhe pas gati dy javësh që kur bashkëautori Dimal Basha tha se ka dërguar e-mail te revista “Open Edition Journals” për të kërkuar heqjen e emrit të tij nga ai punim, duke pretenduar se nuk është bashkëautor, por veç autor kontribues i një kapitulli të veçantë për “islamin radikal…me fokus Kosovën”.

Jana Arsovska, studiuesja namkeqe maqedonase që karrierën akademike e ka ndërtuar (shih bibliografinë e vet) me studime terr-ndjellëse ndaj shqiptarëve, dhe që ka plot katër punime të listuara në CV-në e saj me bashkëautor Dimal Bashën, nuk është bërë më e gjallë për media. Ndonëse ditën e parë u lajmërua për të provuar heqjen e përgjegjësisë së Bashës për tekstin e plotë, nuk u përgjigj për Nacionale pyetur për kërkesën e Bashës për heqjen e bashkëautorësisë.

Dimal Basha bëri një seri arsyetimesh: por nuk u distancua nga bashkëautorja e vet në katër punime: Jana Arsovska. Tha se nuk e kishte lexuar tekstin në fjalë, dhe se po ta kishte lexuar, nuk do të merrte pjesë në të. Shtoi se ka dërguar email për heqjen e emrit të tij te revista në fjalë, por edhe dy javë më vonë: emri tij qëndron i pashlyer.

“Ju e dini që kam bërë deklaratë tanimë ku kam tregu që kjo ka ndodhur në vitin 2021 sa kam qenë student, autorja e ka pranu dhe ka leshu komunikatë që nuk mbaj përgjegjësi përveç kapitullin tre. Fusha ku unë kam studiuar, e mbuloj vetëm këtë fushë. Prej meje, sa për sqarim, më është kërkuar një kapitull, për fushën që ki hulumtime, dhe e kam dorëzuar, me bindjen që ka me u publiku veçantë. Bindja ka qenë që “Globalizimi dhe Ballkani Perëndimor”, dhe kam menduar se do të dalë një kapitull i veçantë.

Por jo se do të del bashkëautorësi me dikë tjetër, kurrë nuk kisha pranu me qenë bashkëautor me një punim shkencor ku flitet ashtu për UÇK-në, unë prej vitit 2008 publikoj opinione, dhe kam qenë pjesë aktive e shoqërisë. Asnjëherë në asnjë moment nuk e kam ditur që do të publikohet si bashkëautorësi. Kurrë në jetë nuk e kam lexu artikullin, hera e parë në jetë këto ditë e kam pa që del edhe emri im në të njëjtin paper. Pajtohem që është dashur me qenë më i kujdesshëm, sikur ta kisha lexu kisha reagu menjëherë. Duhet me mbajt përgjegjësi, kam qenë student”, tha ai.

Nacionale ka kërkuar sqarime me shkrim nga zoti Dimal Basha se pse nuk është hequr emri i tij ende nga punimi famëkeq, por i njëjti nuk është përgjigjur; po ashut nuk është përgjigjur as Jana Arsovska, e cila ishte shprehur mëse e gatshme të përgjigjej në ditën e parë kur punimi doli në pah.

Mllefi antishqiptar i Jana Arsovskas

Dimal Basha gjeti për kolege të besuar një ‘studiuese’ rrënjësisht antishqiptare në bibliografinë e vet: Jana Arsovska; tash asistente në fakultetin ku ka diplomuar Basha dhe me të cilën ka shkruar në bashkëautorësi artikull famëkeq ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si organizatë kriminale e financuar nga trafikantë të drogës dhe të njerëzve.

Artikulli ‘shkencor’ i Dimal Bashës trazoi opinionin e gjerë me fjalët që u zbuluan të jenë thënë për UÇK-në si organizatë në themel “e krimit dhe trafikantëve të drogës”.

Por, ‘mentorja’ e Dimal Bashës, bashkëautorja e tij, Jana Arsovska – del të jetë një rezervuare e madhe shkrimesh të demonizimit të UÇK-së, luftës së saj, dhe veprimtarisë çlirimtare. Gazeta Nacionale i është drejtuar zotit Dimal Basha, tash Kryetar Kuvendi, për të marrë anën e vet të tregimit, por ai ka refuzuar të përgjigjet.

Nacionale ka lexuar librin e Jana Arsovskës, koleges së besuar akademike të Dimal Bashës, ku përmbahet një mal denoncimesh dhe referencash të errëta ndaj UÇK-së:

Libri mban titullin: “Dekodim i Krimit të Organizuar Shqiptar”.

Arsovska shkruan se shqiptarët duke mbështetur UÇK-në i kontribuan “zhvillimit të një lidhje kriminale politike” dhe vazhdon të thotë se UÇK u financua “nga operacione të drogës në Kosovë dhe shqiptarëve në Perëndim”.

Arsovska shkruan për Hashim Thaçin dhe Xhavit Halitin, si drejtues të UÇK-së dhe politikanë të pasluftës, ishin “thellësisht të implikuar në tregtimin e drogës”.

Ajo vazhdon të citojë një person me emrin Besmir, duke pretenduar se ka lënë “plumba” në dyert e atyre që s’kanë dhënë para për UÇK-në. “Shuma të mëdha parash erdhën nga klube nate, diskoteka dhe operacione truprojesh, dhe eksploatimi ra në duar të famëkeqin Besmir dhe familjes së tij”.

Mëpastaj ajo thuajse biblikisht citon senatorin zviceran Dick Marty-in për “trafikim organesh”.

“UÇK u krijua në paralel me LDK-në në 1993. UÇK mblodhi bashkë grupe të shumta militantësh dhe individë që synuan çlirimit përmes luftës së armatosur. Rangjet u saj u mbushën me personazhe të llojllojshme, prej grupe të organizuara kriminale, dhe ndjekës marksist-leninist”, shkruan ajo.

“Mbështetja financiare e UÇK-së…nga bandidtë patriotikë përgjatë Evropës dhe ShBA-së…Trafikantë të drogës gjithashtu dërguan njerëz të armatosur për të luftuar përkrah UÇK-së”, shkruan ajo dhe përfundon se trafikantë të drogës “mbështetën UÇK-në ose përmes parave ose përmes blerjes së armëve”./Nacionale