Emisari i ri i BE-së, Peter Sorensen, nesër në Kosovë – Takime me udhëheqësit e shtetit

Emisari i ri i Bashkimit Evropian për Kosovën, Peter Sorensen, do të zhvillojë nesër një vizitë zyrtare në Prishtinë, ku do të takohet me krerët më të lartë institucionalë të vendit.

Sipas agjendës zyrtare të Presidencës, Sorensen do të pritet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një takim që pritet të fillojë në orën 09:45.

Gjatë këtij takimi, pritet të diskutohen çështje kyçe që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përfshirë procesin e integrimit evropian, zhvillimet e fundit politike dhe situatën e sigurisë në vend.

Përveç takimit me presidenten Osmani, emisari i BE-së pritet të zhvillojë edhe takime të tjera me përfaqësues të institucioneve kryesore të Kosovës.

Në fokus të diskutimeve do të jetë dialogu Kosovë-Serbi, sfidat e zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri tani dhe perspektiva e integrimeve evropiane për Kosovën.

Kjo është vizita e parë e Peter Sorensen në Kosovë që nga emërimi i tij si përfaqësues i posaçëm i BE-së.

Ai vjen në një kohë kur tensionet në rajon dhe dinamika e dialogut me Serbinë mbeten çështje të ndjeshme në raportet ndërkombëtare.

Për këtë arsye, pritet që vizita e tij të shoqërohet me deklarata dhe mesazhe të rëndësishme në lidhje me angazhimin e BE-së në proceset politike dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Kush është Sorensen?

Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.

Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.

Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi.

Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci.

Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.