Emisari i Bashkimit Evropian: Normalizimi Kosovë–Serbi nuk arrihet me një takim, por është proces i përditshëm

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve nuk është rezultat që arrihet me një takim të vetëm, por një proces i vazhdueshëm që zhvillohet çdo ditë për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

Në një intervistë për agjencinë italiane Agenzia Nova, Sørensen, i cili mori detyrën në janar duke zëvendësuar Miroslav Lajçakun, theksoi se që nga marrja e mandatit ka zhvilluar më shumë se 60 takime zyrtare në rajon dhe ka organizuar dy raunde të bisedimeve të kryenegociatorëve në Bruksel, transmeton lajmi.net.

“Procesi nuk është gjithmonë linear dhe shumë gjëra ndodhin prapa skenave, por çdo ditë bëhet përparim real. Çdo ditë njerëzit, automjetet dhe mallrat lëvizin lirshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Vetëm këtë verë, mbi 1.7 milion persona dhe rreth 650 mijë automjete kanë kaluar pikat e përbashkëta kufitare. Makina me targa të lëshuara nga Kosova tani mund të kalojnë në Serbi, dhe njerëzit paguajnë për energjinë që konsumojnë sipas kushteve të dakorduara. Kjo është provë e qartë se dialogu po funksionon,” – ka thënë emisari evropian.

Sørensen përmendi edhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga Komisioni Evropian në nëntor të vitit 2023, që parashikon një paketë financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024–2027. Ai theksoi se përfitimi nga ky plan kushtëzohet me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun Kosovë–Serbi.

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja mbetet platforma kryesore për normalizimin e marrëdhënieve. Si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, rruga drejt integrimit evropian varet nga ky proces,” – deklaroi Sørensen.

Ai kujtoi se përmes dialogut janë arritur mbi 90 marrëveshje, të cilat prekin çështje praktike të përditshme. Sipas tij, këto janë rezultate që vitet e pranisë ndërkombëtare dhe misionet paqeruajtëse nuk kanë arritur t’i sigurojnë vetë.

Duke folur për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë, emisari evropian i mirëpriti ato si paqësore, gjithëpërfshirëse dhe transparente, duke theksuar pjesëmarrjen e lartë të komunitetit serb pas dy vitesh bojkoti.

“Pjesëmarrja në komunat me shumicë serbe ishte mbi 50 për qind, çka është një shenjë pozitive. Serbët e Kosovës kanë marrë pjesë dhe kanë fituar në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe. Tani kemi përfaqësues të zgjedhur, që është një hap i rëndësishëm përpara dhe dëshmi se ata janë pjesë integrale e shoqërisë kosovare,” – u shpreh ai.

Sørensen shtoi se pas certifikimit të rezultateve, është e rëndësishme që të ketë një tranzicion të rregullt të pushtetit vendor dhe që këto zgjedhje të shërbejnë si bazë për riintegrimin e serbëve të Kosovës në institucionet vendore, pas braktisjes së tyre në vitin 2022.

Duke iu referuar tensioneve mes liderëve politikë të Kosovës dhe Serbisë, të vërejtura edhe në samitin e fundit të Procesit Brdo–Brioni në Durrës, Sørensen bëri thirrje për angazhim konstruktiv nga të gjitha palët.

“Bashkimi Evropian pret që udhëheqësit e rajonit të tregojnë përgjegjësi dhe qetësi. Dialogu është hapësira ku Kosova dhe Serbia mund t’i adresojnë mosmarrëveshjet me qetësi dhe konstruktivitet. Prandaj, i inkurajojmë të dyja palët të përmbahen nga polemikat publike dhe të fokusohen në zbatimin e angazhimeve të marra,” – përfundoi emisari i BE-së