Shteti i Gjirit pret që masa do të përshpejtojë ligjbërjen me 70%, por ekspertët paralajmërojnë për çështje të besueshmërisë.
Emiratet e Bashkuara Arabe synojnë të përdorin inteligjencën artificiale për të ndihmuar në shkrimin e legjislacionit të ri dhe rishikimin e ndryshimin e ligjeve ekzistuese.
Dhe kjo vjen si përpjekja më radikale e shtetit të Gjirit për të shfrytëzuar një teknologji në të cilën ka derdhur miliarda.
Plani për atë që media shtetërore e quajti “rregullim i drejtuar nga AI”, sipas Financial Times, shkon më tej se çdo gjë që shihet diku tjetër.
Studiuesit e AI kanë vënë në dukje sakaq se detajet janë të pakta.
Edhe qeveritë e tjera po përpiqen të përdorin inteligjencën artificiale për t’u bërë më efikase, nga mbledhja e faturave deri te përmirësimi i ofrimit të shërbimeve publike, por jo për të sugjeruar në mënyrë aktive ndryshime në ligjet aktuale duke përfshirë të dhënat qeveritare dhe ligjore.
“Ky sistem i ri legjislativ, i fuqizuar nga inteligjenca artificiale, do të ndryshojë mënyrën se si ne krijojmë ligje, duke e bërë procesin më të shpejtë dhe më të saktë”, ka thënë Sheikh Mohammad bin Rashid Al Maktoum, sundimtari i Dubait dhe nënkryetar i Emirateve të Bashkuara Arabe, i cituar nga media shtetërore.
Ministrat miratuan javën e kaluar krijimin e një njësie të re kabineti, Zyra e Inteligjencës Rregullatore, për të mbikëqyrur shtytjen legjislative të AI.
Abu Dhabi vitin e kaluar hapi një mjet investimi të dedikuar, MGX, i cili ka mbështetur një fond prej 30 miliardë dollarësh për infrastrukturën e inteligjencës artificiale BlackRock midis investimeve të tjera.
MGX ka shtuar gjithashtu një vëzhgues të AI në bordin e vet.
Emiratet e Bashkuara Arabe planifikojnë të përdorin inteligjencën artificiale për të gjurmuar sesi ligjet ndikojnë në popullatë dhe ekonominë e vendit duke krijuar një bazë të dhënash masive të ligjeve federale dhe lokale, së bashku me të dhënat e sektorit publik si gjykimet e gjykatave dhe shërbimet qeveritare.
Inteligjenca artificiale do të “sugjerojë rregullisht përditësime të legjislacionit tonë”, ka shtuar Sheikh Mohammad, sipas medias shtetërore.
Qeveria thuhet se pret që AI të përshpejtojë ligjbërjen me 70 për qind.
Por studiuesit janë të mendimit se mund të përballet me shumë sfida dhe gracka. Ato variojnë nga AI duke u bërë e pakuptueshme për përdoruesit e saj, te paragjykimet e shkaktuara nga të dhënat e saj të trajnimit dhe pyetjet nëse AI i interpreton ligjet në të njëjtën mënyrë që bëjnë njerëzit.