Elizabeta dhe Artemida Qarri sjellin një projekt të rrallë muzikor që ringjall trashëgiminë shqiptare në skenën ndërkombëtare

Pianistet dhe profesoreshat universitare Elizabeta dhe Artemida Qarri, të njohura për kontributin e tyre të vazhdueshëm në artin dhe edukimin muzikor në Kosovë, kanë ndërmarrë një projekt unik që pritet të lërë gjurmë të thella në skenën muzikore shqiptare dhe më gjerë.

Në zemër të këtij projekti qëndrojnë dy vepra me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore për artin shqiptar:

–“O Vendi Im – Malëngjimi” nga kompozitori Rashid Krasniqi
-Muzika e filmit legjendar “Skënderbeu” nga mjeshtri Çesk Zadeja

Të dyja këto kompozime, të ngulitura prej vitesh në kujtesën kolektive të shqiptarëve, janë përpunuar dhe rikrijuar në një format tërësisht të ri: si vepra për dy piano dhe orkestër, falë orkestrimit mjeshtëror të kompozitorit dhe profesorit Valton Beqiri.

Ky projekt nuk është thjesht një interpretim klasik – ai është një rikonceptim i thellë artistik që bashkon përvojën, ndjeshmërinë dhe profesionalizmin e lartë të motrave Qarri me mjeshtërinë krijuese të Beqirit. Në këtë mënyrë, muzika klasike shqiptare fiton një dimension të ri bashkëkohor, duke komunikuar fuqishëm me publikun e sotëm dhe duke ruajtur shpirtin e saj origjinal.

Projekti, i cili është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës (MKRS), synon të kurorëzohet me publikimin e një albumi muzikor si dhe një koncert të madh, ku dy pianot dhe orkestra do të interpretojnë në harmoni të plotë – një gjuhë universale e emocioneve dhe artit të përkushtuar.

Ky është një hap i rëndësishëm në afirmimin dhe promovimin e trashëgimisë muzikore shqiptare, duke e sjellë atë në një kontekst ndërkombëtar dhe duke e vendosur denjësisht në hartën e kulturës klasike globale.