Elezi tregon se kur do fillojë numërimi i votave të diasporës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me vlerësimin dhe verfikimin e pakove me votat e diasporës. Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi ka thënë se të njëjtat pako do të verifikohen nëse kanë ardhur nga persona të regjistruar si votues të suksesshëm jashtë vendit.

“Në QNR, shërbimi votues i KQZ-së ka filluar edhe procesimin e vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës gjatë periudhës së votimit përmes postës nga data 02-12 shkurt. Ky proces ka për qëllim të verifikojë nëse këto pako janë dërguar nga personat e regjistruar sit ë suksesshëm për të votuar jashtë vendit, apo nëse ato pako do kanë përmbushur kriteret ligjore thënë ai.

Më tutje Elezi konfirmoi se pa u kryer ky proces, nuk mund të dinë se sa janë gjithsej vota nga diaspora.

“Verfikimi i tyre do të na marr kohë disa ditë dhe deri atëherë nuk e dimë se sa është numri i votave nga jashtë vendit”, ka thënë Elezi.

Elezi dha detaje edhe për procesimin e formularëve për subjektet politike dhe për ato të kandidatëve.

“Në QNR është duke u proceduar futja e të dhënave nga formularët e rezultateve subjekteve politike dhe kandidatëve të cilat janë plotësuar në vendvotime nga anëtarët e Këshillave të vendvotimit në ditën e zgjedhjeve pas numërimit të fletëvotimeve. Nga 2232 vendvotime, 1056 janë procesuar, për subjektet politike dhe diku 841 vendvotime për formularët e kandidatëve”, ka thënë Elezi.