Elezi: Të premten pritet të përfundojë rinumërimi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke planifikuar që procesin e rinumërimit të vendvotimeve ta përmbyllë të premtën, më 30 janar.

Kështu ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar se sot, rinumërimi ka hyrë në ditën e 17-të.

“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e enjte, 29 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar rreth 88% apo 2,245 nga 2,557 vendvotime. Pra, numri i përgjithshëm i komunave që deri më tani kanë përmbyllur rinumërimin janë 34, ndërkaq kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 312 vendvotime që i takojnë 4 komunave të fundit nga ky proces”, tha Elezi për Klan Kosova.

Sipas tij, “rinumërimi i vendvotimeve të mbetura besojmë se do të kryhet gjatë këtyre dy ditëve”.

I pyetur se nëse rezultatet përfundimtare do të shpallen të premtën, pas përfunimit të rinumërimit, Elezi tha se kjo varet nga ora se kur do të përfundojë rinumërimi dhe se për këtë do të vendosë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Elezi ka njoftuar ditë më parë se “pas përfundimit të rinumërimit, KQZ do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ashtu siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme. Natyrisht, procesi i rinumërimit i heq të gjitha dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, por KQZ duhet të presë afatin për paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të procedojë me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe njëkohësisht me përmbylljen e procesit zgjedhor”.

Për rinumërim, KQZ kishte marrë dy vendime, sipas të cilave, ky proces përfshin të gjitha vendvotimet ku është zhvilluar votimi i rregullt më 28 dhjetor 2025. Sipas vendimit të parë të KQZ-së, më 13 janar 2026, në 10 komuna ishte planifikuar të rinumëroheshin 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, vetëm nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut). Por, pas vendimit të dytë të KQZ-së, më 19 janar 2026, në proces të rinumërimit u përfshin edhe vendvotimet tjera të këtyre komunave