Elezi: Shpallja e rezultateve përfundimtare në fillim të shkurtit

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i rinumërimit të votave po vijon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) dhe pritet të përmbyllet deri në fund të muajit janar, ndërsa rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve do të shpallen në fillim të muajit shkurt.

Elezi në një intervistë për Ekonomia Online tha se procesi i rinumërimit të vendvotimeve po vazhdon bazuar në dy vendimet e KQZ-së.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i rinumërimit të vendvotimeve, i cili po realizohet në bazë të dy vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në total, procesi i rinumërimit do të përfshijë të gjitha 2,557 vendvotimet ku është zhvilluar procesi i rregullt zgjedhor më 28 dhjetor 2025. Sipas vendimit të parë të KQZ-së, të datës 13 janar 2026, ishte paraparë rinumërimi i 914 vendvotimeve, ndërsa me vendimin e dytë, të datës 19 janar 2026, është vendosur që të përfshihen edhe 1,643 vendvotime të tjera, duke e zgjeruar procesin në tërësi”, tha ai.

Elezi ka sqaruar se aktualisht janë angazhuar dhjetëra ekipe për të përshpejtuar procesin e rinumërimit dhe për të respektuar afatet e parapara nga KQZ-ja.

“Aktualisht, numri i ekipeve të numërimit të angazhuara në procesin e rinumërimit gjatë një dite pune është 76. Bazuar në këtë kapacitet dhe numri i vendvotimeve të mbetura për t’u rinumëruar, planifikojmë dhe po bëjmë përpjekje që të gjithë procesin e rinumërimit të arrijmë ta përmbyllim deri në fund të muajit janar”, tha Elezi.

Sipas tij, pas përfundimit të rinumërimit, KQZ-ja do të vazhdojë me hapat ligjorë për shpalljen dhe certifikimin e rezultateve përfundimtare, duke respektuar afatet për ankesa nga subjektet politike dhe kandidatët.

“Pas përfundimit të rinumërimit, KQZ, në fillim të muajit shkurt do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ashtu siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme. Natyrisht, procesi i rinumërimit i heq të gjitha dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, por KQZ duhet të presë afatin për paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të procedojë me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe njëkohësisht me përmbylljen e procesit zgjedhor”, bëri të ditur zëdhënësi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e mbajtur të hënën, ka vendosur që të ketë rinumërim të plotë të votave të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 dhjetorit, në vendvotimet e 28 komunave.

Sipas vendimit të 13 janarit 2026, ishte vendosur që në 10 komuna të bëhet rinumërimi i plotë, kurse në 28 të tjera vetëm 10% e vendvotimeve.

Me 11 vota për, u miratua propozimi për rinumërim në të gjitha komunat tjera dhe shkarkimi i përfaqësuesve të partive politike në Komisionin Komunal në Prizren.